Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka reaguar ndaj deklarimeve të kreut të vendit Hashim Thaçi rreth arrestimit të një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje derisa sot po mbahej një konferencë për media.
Në një postim në Facebook, Gashi thotë se fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional, andaj edhe kreu i vendit duhet të tërhiqet nga deklarimet e tij.
“Gjuha që po përdor presidenti është e përçarjes dhe nxitjes, e jo e bashkimit e pajtimit. Presidenti ka përfunduar detyrimet e tij kushtetuese. Komentimet që po vazhdon t’i bëjë për situatën politike nuk janë në frymën e pajtimit, unifikimit dhe përfaqësimit simbolik, frymë që duhet të prezantojë institucioni që ai drejton! Gjuha dhe retorika e liderëve politikë, e veçanërisht e presidentit, duhet me patjetër të pastrohet nga urrejtja, nëpërkëmbja, poshtërimi dhe fyerja e kundërshtarit politik”, ka shkruar Gashi.
Veron Hasani, aktivist i Vetëvendosjes është arrestuar sot pasi ka tentuar të hyjë në oborrin e Kuvendit ku Thaçi po mbante një konferencë për media. Ai me këtë rast e ka quajtur kreun e vendit “hajn”. Ndaj këtyre deklarimeve Thaçi sonte tha se më mirë ishte që aty të vinte Albin Kurti se sa të dërgonte njerëz të rinj./ Tv Malisheva