Joe Biden e siguron numrin e delegatëve, nominohet zyrtarisht kandidat për president të ShBA-së
Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, e ka siguruar numrin e mjaftueshëm të delegatëve për t’u nominuar zyrtarisht si kandidat i Partisë Demokratike për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.
Një kandidati i nevojiten së paku 1,991 delegatë për ta siguruar nominimin. Joe Biden e kapërceu këtë prag pas publikimit të rezultateve në orët e vona të së premtes për zgjedhjet në shtatë shtete dhe në Distriktin e Kolumbisë, shkruan “Reuters”.
Kjo arritje ishte më tepër formalitet, sepse ai praktikisht ishte bërë i nominuar i partisë për zgjedhjet presidenciale që në muajin prill, kur rivali i tij kryesor, senatori Bernie Sanders, u tërhoq nga gara.
“Ishte nder që së bashku të garojmë në njërin ndër grupet më të talentuara të kandidatëve që Partia Demokratike i ka vendosur ndonjëherë dhe e them me krenari që do të futemi në këto zgjedhje si parti e bashkuar”, tha Joe Biden të premten./Tv Malisheva