Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi t’i garantojë secilit qytetarë se kurrë më nuk do të vënë në tavolinë asnjë milimetër të territorit të vendit. Osmani ka hedhur dyshime se i pari i shtetit akoma qëndron prapa idesë së korrigjimit të kufijve, pasi ka thënë se një opinion i tillë po qëndron ende në ueb-faqen e presidentit.
Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të sotme të kreut të shtetit se Kosova pas largimit të reciprocitetit është e gatshme për dialog, kryeparlamentarja Osmani në një konferencë për medie pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, theksoi se vendi nuk është i gatshëm për një dialog të tipit të presidentit Thaçi.
Osmani: Kosova gjithnjë ka qenë e gatshme për dialog, por jo për një dialog të tipit të Thaçit.
“Kosova gjithnjë ka qenë e gatshme për dialog, por jo për një dialog të tipit të Thaçit, i cili në vet vete involvon negociata sekrete me presidentit e Serbisë dhe i cili ka rezultuar me hapjen e temave dhe aventurave që janë të rrezikshme për vendit tonë, ashtu edhe për paqen në rajon. Në vend se të dal dhe të marrë kompetenca të qeverisë presidenti i vendit do të duhej të deklarohej një herë e mirë për çështje substanciale. Ajo është se a garanton qytetarëve të Kosovës që kurrë më nuk do të vënë në tavolinë asnjë milimetër të territorit të Republikës së Kosovës. Po ashtu a ka hequr dorë nga ideja e tij dhe e Vuçiqit, ideja e rrezikshme për korrigjim të kufijve. Hera e fundit që e kemi kontrolluar në uebfaqen zyrtare të presidentit të vendit, akoma gjendet op-edi i tij ku ai thekson se, po citoj presidentët dhe kryeministrat do të ndryshojnë, por korrigjimi i kufijve do të ndodh. Po supozoj se meqenëse nuk e kanë ndryshuar këtë op-ed me ndonjë tjetër, ai akoma qëndron pranë idesë së korrigjimit të kufijve. E për ide të tilla, jo vetëm që e ndajnë Kosovën dhe e gjymtojnë atë territorialisht. Por në esencë janë në kundërshtim me projektin e popullit të Kosovës për një shtet evropian, jo Kosova nuk është e gatshme”, tha ajo.
E pyetur se a do të jetë pjesë e ekipit për dialogun me Serbinë, Osmani tha se do të angazhohet vetëm që të ketë mbikëqyrje të plotë nga institucioni që ajo drejton.
Osmani: Do të sigurohemi që të bëjmë mbikëqyrje të fortë qeverisë për dialogun
“Unë si kryetare e Kuvendit do të sigurohemi që të bëjmë mbikëqyrje të fortë të cilën nuk e kam pa më herët në raport me qeverinë, sa i përket çështjes së dialogut”, tha ajo.
Në lidhje me akuzat e shefit të partisë, Isa Mustafa se ajo po koordinohet me ish-kryeministrit Kurti, Osmani tha se ajo nuk koordinohet me askënd për qëndrimet që i mban.
Osmani: Unë nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që unë i mbaj
“Unë nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që unë i mbaj. Më mirë se kushdo qoftë këtë duhet të dinte zotëri Mustafa. Unë i kam qëndrimet e mija që burojnë nga puna ime me kolegë dhe njerëz që vërtet e donë LDK-në dhe Kosovën në këto dy dekada. Këto qëndrime gjithmonë kanë qenë të njëjta. Unë i sfidojë të më tregojnë se cilin qëndrim që e kam mbajtur para tetorit dhe pas 6 tetorit ka ndryshuar. Kanë qenë qëndrime të njëjta me të cilat ne e kemi marrë besimin qytetarë”, u shpreh Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani në këtë konferencë për medie foli edhe për raportimet e ditëve të fundit, ku babain e saj e involvojnë si punëtor në ish sistemin e sigurisë Jugosllav. Ajo tha se gjitha këto janë dezinformata dhe se familja e saj janë duke mbledhur provat e nevojshme për të denoncuar në organet kompetente.
Osmani: Familja ka mbledhur provat për këto dezinformatat
“Familja ime i ka mbledhur provat e nevojshme, ato pak a shumë tregojnë ku e ka burimin një dezinformatë dhe shpifje e tillë që ka për qëllim integritetin familjar”, u shpreh Osmani.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paraditen e sotme u shpreh optimist se marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet këtë vit./Tv Malisheva