“Ne sot po përurojmë edhe një objekt të ri shkollor, në një fshat me traditë të hershme në arsimin shqip. Ju keni dhënë shumë kuadro nga kjo shkollë dhe jam shumë i kënaqur që sot po bëjmë përurimin e kësaj shkolle, duke kërkuar në të njëjtën kohë nga ju mësimdhënës që të punoni shumë, në rritjen e cilësisë në arsim, pasi me cilësi të arsimit rritet zhvillimi dhe kështu zhvillohet edhe vendi, prandaj punoni për zhvillim, ndërsa ne do të vazhdojmë me investime në arsimin e komunës sonë. Kontributi më i madh, për të gjitha këto që ne sot po bëjmë, është i dëshmorëve të kombit, prandaj jepni maksimumin tuaj në rritjen e cilësisë në arsim”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në fjalën e rastit, përderisa foli edhe për dëshmorët, emrin e njërit prej të cilit e mbanë edhe shkolla, të ish mësuesit Afrim Buçaj.

Ndërsa drejtori i shkollës, Mursel Buçaj, fillimisht foli për historikun e kësaj shkolle, e cila daton nga viti 1947, e që nga atëherë janë ndërtuar disa objekte shkollore në këtë fshat, por asnjëherë një e tillë, moderne dhe me kushte standarde për mësim. Ai më pas foli në mënyrë kronologjike për të gjitha të arriturat e shkollës, por edhe për kontributin e dhënë, si në luftën e fundit, por edhe në jetën kulturore, e në mesin e këtyre kontribut dhënësve ishte edhe dëshmori i kombit Afrim Buçaj, emrin e të cilit me krenari e mbanë kjo shkollë. Drejtori Buçaj, falënderoi Komunën e Malishevës, për ndërtimin e kësaj shkolle, e cila ishte tepër e nevojshme, pasi deri më tani kanë mësuar në kushte jo të mira dhe jashtë çdo standardi.

Shiritin e përurimit e prenë, nëna e dëshmorët të kombit Avni Buçaj, zonja Mendehie Buçaj, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori komunal i arsimit, Blerim Thaçi, drejtori i shkollës, Mursel Buçaj dhe një nxënës i kësaj shkolle.

Ndërtimi i objektit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, “Afrim Buçaj” në Lladrovc, u mundua nga buxheti komunal i Malishevës.

Shkolla ka 13 dhoma mësimi, bibliotekën, sallën, dhe ka 249 nxënës./Tv Malisheva

Share.