Problemet e bizneseve me bankat komerciale, e me theks të veçantë gjatë periudhës së pandemisë ishin tema kryesore e diskutimit në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me drejtorin e Shoqatës së Bankave Petrit Balija dhe bashkëpunëtorët.
Kryetari i bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi theksoi që gjatë periudhës së pandemisë një ndër sfidat kryesore për bizneset ka qenë pamundësia e marrjes së kredive, pasi që bankat komerciale për shkak të pandemisë kanë ndaluar ofrimin e këtij shërbimi dhe njëkohësisht shtyrja e pagesave të kamatave të kredive nuk ka nënkuptuar edhe shtyrjen e interesit.
Kjo mos shtyrje e interesit ka bërë që të rëndohet biznesi, prandaj Krasniqi theksoi që është mëse e nevojshme që shtyrja e kredive të bëhet edhe për tre muajt në vijim, ndërsa pjesa e interesit të merret përsipër nga shteti duke u subvencionuar.
Tutje Krasniqi shtoi që duhet të bëhet shtyrja e kredit line për një vit, e jo për tre muaj, të ulet norma e interesit në banka komerciale ashtu që të rritet mundësia për marrje të kredive, të rritet koha e grejsperiudhës deri në dy vite, dhe njëkohësisht Kosova nëpërmjet BQK-së të aplikojë për lirim të tarifave për Master dhe Visa Card pasi që të gjitha këto do të lehtësonin funksionimin e bizneseve në vend.
Nënkryetari i bordit, Arsim Selmonmusaj shtoi që duhen të ndërmerren masat e nevojshme ashtu që të unifikohet provizioni në bankat komerciale për këmbim të parave metalike në kartëmonedha.
Ndërsa sekretari i bordit, Diamant Elshani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të afërt në mënyrë që bashkërisht të shtyjmë përpara proceset në interes të përbashkët.
Balija konsideroi se Qeveria duhet të ketë prioritet krijimin e Pakos së Rimëkëmbjes dhe për të cilën duhet të diskutohet me të gjitha palët relevante, në mënyrë që të përfshihen interesat e bizneseve.
Sipas Balijës, shtyrja e kredive është bërë bazuar në vullnetin e bankave komerciale dhe se në bashkëpunim me BQK-në kanë pezulluar përkohësisht vendimin përmes së cilit aplikohet kamata ndëshkuese. Ai shtoi që deri më tani janë bërë mbi 65.000 aplikime për shtyrje të kredive, e që në bazë të numrit të aplikantëve jemi shteti me përqindjen më të lartë në BE që kanë bërë një kërkesë të tillë, e gjitha kjo vjen si rezultat i gjendjes ekonomike që Kosova në tërësi ka.
Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Shoqata e Bankave u dakorduan që së bashku të shtyjnë para këto kërkesa të përbashkëta:
Rritja e kapitalit për garanci kreditore, në minimum prej një fondi 300 milion euro;
Subvencionimi i normave të interesit nga ana e shtetit;
Të bëhet kërkesa për Visa dhe Master Card nga BQK në mënyrë që të ulen tarifat, meqenëse i kemi më të lartat në rajon;
Të investohet në Kleringun e ri në BQK, në mënyrë që pagesat të realizohen më shpejtë dhe të eleminohen mundësitë e mashtrimeve;
Të sigurohet kapital shtesë për ruajtje të likuiditetit;
Të miratohet sa më shpejtë Pako fiskale substanciale në mënyrë që të përkrahen bizneset për ruajtje të stabilitetit dhe rimëkëmbje;
Bankat të kenë mundësi që të i’u lejohen në BQK si kolateral letrat me vlerë të cilat i kanë eme./Tv Malisheva