Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot në një takim homologun e tij finlandez, Pekka Haavisto.

Një ndër temat e këtij takimi ishte edhe dialogu dhe taksa ndaj Serbisë.

Siç bëhet e ditur, ministri finlandez, Pekka Haavisto, në këtë takim ka thënë se, çështja e taksës të lihen anash dhe bisedimet me Serbinë të vazhdojnë.

Pas takimit, Pacolli tha se e ka njoftuar homologun e tij për të gjitha çështjet me të cilat po përballet vendi.

“Patëm këmbim të ideve, patëm këmbim të mendimit tonë dhe mund t’iu them se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Finlandës janë marrëdhënie të mira, nuk kemi asnjë problem. Ne kemi nënshkruar disa marrëveshje me Finlandën dhe kemi nënshkruar disa nisma. Unë shfrytëzova rastin ta informojë kolegun për situatën e krijuar tani pas vendimit që vendi të shkojë në zgjedhje, e informova që jemi në fushatë zgjedhore dhe e informova se qeveria e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për të filluar dialogu me Serbinë. Për të filluar dhe për t’u kryer me marrëveshje gjithëpërfshirëse. E informova se Kosova është duke punuar në implementimin e MSA-së, po ashtu e informova për situatën në të cilën ndodhemi ne në marrëdhënien tonë me BE sa i përket lëvizjes së lirë. Kolegu im tha vet se do të angazhohet me çdo gjë që ka që në mënyrë korrekte edhe kosovarët të udhëtojnë lirshëm. Unë shpreha një dëshirë që kjo të ndodhë gjatë presidencës së Finlandës”, tha ai, raporton KP.

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.

“Kemi qenë mbështetës jo vetëm të pavarësisë së Kosovës, ju keni mbështetjen tonë në të gjitha ato aktivitete ndërkombëtare që doni të jeni. Sa i përket vizave ne jemi duke punuar. Finlanda mbështet aspektin e zgjerimit të BE-së.  Ka disa çështje që ju përmendët e që nuk kanë avancuar aq sa do të donim siç është dialogu Kosovë-Serbi, e keni mbështetjen tonë të plotë për të vazhduar bisedimet. Neve nuk na pëlqen që ka avokim kundër jush në disa kontekste kohore, nuk është e pranueshme dhe gjithashtu ka disa çështje sa i përket tarifës dhe politikave, shpresoj të gjitha këto çështje të lihen anash dhe bisedimet me Serbinë të vazhdojnë”, tha ai.

Share.