Lëvizja Vetëvendosje prej sot fillon Javën e Lëvizjes për të shënuar 15-vjetorin e themelimit të saj.

Hapja e kësaj jave nis me Ditën e Lidhjes në Prizren, për të vazhduar pastaj me ditën e premte ku kremtimi i 15-vjetorit të Lëvizjes do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, dhe për ta përmbyllur me ditëlindjen e veprimtarit dhe aktivistit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.

Sonte te platoja e Lidhjes së Prizrenit, duke filluar nga ora 19:00, Glauk Konjufca dhe historianja Mrika Limani Myrtaj do të mbajnë një bashkëbisedim për rëndësinë historike dhe politike të Lidhjes së Prizrenit.

Ndërsa, në ora 21:00 do të bëhet ndezja e flakadanëve në kalanë e qytetit, pa marshim kësaj radhe.

Ndërkohë që nënshkrimi i peticionit do të vazhdojë pa ndërprerje, ditën e dytë të kësaj jave të Lëvizjes, të enjten, do t’i dedikohet pikërisht peticionit, ku VV thotë se do të shtojë punën dhe numrin e nënshkrimeve për zgjedhje të reja.

Ditët e tjera, sipas agjendës, do të jenë për Mërgatën, Gruan dhe Rininë, qeverisjen lokale dhe qendrore, ku edhe do të prezantohet të arriturat e qeverisjes së VV-së./Tv Malisheva

Share.