Në seancën e sotme plenare, tri grupet parlamentare të partive në pushtet i kanë dhënë mbështetje propozim-vendimit të ekzekutivit për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.

LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kërkuan ky propozim të merr përkrahje nga deputetët në mënyrë që të implementohet pakoja emergjente fiskale.

Deputeti i LDK-së, Shkëlzen Hajdini dha arsyet pse duhet votohet ky tejkalim i deficitit buxhetor.

Hajdini: I japim mbështetje të plotë propozimi-vendim të qeverisë

“Në emër të grupit parlamentar i japim mbështetje të plotë propozimi-vendimit të qeverisë për tejkalim të rregullës fiskale për deficitin buxhetor në përqindje prej 6.5 për qind. E uljen e bilancit bankar të përdorshëm në 2 për qind. Kjo në mënyrë t’i mundësohet t’i ofrojë ekonomisë rimëkëmbje, sektorit privat një mbështetje. Jemi dëshmitar të një ndikimi të madh në ekonomi, një ndikim negativ të pandemisë Covid-19 në sektorin privat”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi adresoi kritika ndaj deputetëve të LVV-së se pse të njëjtin projekt kur ishte Albin Kurti i jepnin përkrahje, ndërsa tash po e stopojnë.

Abrashi: Nuk po i kuptoj deputetët e LVV-së

“Nuk i kuptoj deputetët e LVV-së që një projekt që e kanë shtyrë vetë këta, e në momentin kur qeveria aktuale ka marrë përsipër për të implementuar të njëjtën nuk e përkrahin”, u shpreh ai.

E deputeti i Nismës, Endrit Shala tregoi arsyet pse duhet votuar ky propozim-vendim.

Shala: T’i mundësojmë qeverisë t’i jep përkrahje ekonomisë

“Me qëllim që ne si deputetë t’i mundësojmë qeverisë implementimin e pakos emergjente. Implementimin për përkrahje ekonomike të situatës së krijuar. Pastaj që qeveria e re të fillojë me procedurat e rishikimit të Ligjit për Buxhetit ne si grup parlamentar i japim përkrahje këtij vendimi të qeverisë”, tha ai.

Qeveria Hoti në mbledhjen e javës së kaluar i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votojë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor./Tv Malisheva

Share.