Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar sot planin e punës së ekzekutivit dhe planin indikativ të punës së qeverisë për vitet 2021-2023. Aty, kryeministri Avduallah Hoti ka përmendur prioritet e kësaj qeverie, ndër të tjera edhe rimëkëmbjen ekonomike pas krizës nga pandemia Covid-19 dhe dialogun me Serbinë.

Hoti kërkoi nga ministrat angazhim maksimal për zbatimin e këtij plani.

Hoti: Prioriteti ynë i parë është menaxhimi i pandemisë

“Prioriteti ynë i parë që është menaxhimi i pandemisë nga Covid-19, pastaj rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, dhe janë temat specifike sektoriale për secilin sektor veç e veç, duke filluar nga qeverisja, reforma institucionale dhe kohezioni shoqëror, pastaj program zhvillimor ekonomik gjithëpërfshirës dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, çështjet e drejtësisë dhe reforma në drejtësi, politika e jashtme, integrimi në BE dhe dialogu me Serbinë”, tha Hoti.

Hoti përmendi dhjetëra objektiva e qindra aktivitete të parapara.

Hoti: Plani i punës përfshinë 11 prioritete, 58 objektiva e 434 aktivitete

“Parashihen 11 prioritete, 58 objektiva dhe 434 aktivitete, është programi legjislativ i qeverisë i cili përcakton nevojën që ne të përgatisim 126 projektligje për të bërë të mundur realizimin e këtij plani të punës, është program i dokumenteve strategjike i cili përcakton përgatitjen e 36 dokumenteve strategjike dhe është tabela B e planit ku përfshihen prioritetet sektoriale të ministrive veç e veç ku përcaktohen 98 objektiva dhe 560 aktivitete nga ana e ministrive”, tha Hoti.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua edhe rregullorja përmes së cilës zëvendësohen disa shtojca të disa ministrive që kanë të bëjnë me qartësimin e përgjegjësive.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se me ndryshimin e projekt rregullores 06/2020 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive do të zëvendësohen shtojcat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, asaj të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Selmanaj: Po bëjmë qartësimin e përgjegjësive të ministrive në fusha specifike

“Ndryshimet janë bërë me qëllim të qartësimit të përgjegjësive të ministrive në fjalë në fushat specifike siç janë: ndërmarrësia dhe inovacioni në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, investimet strategjikë që ndërlidhen me diasporën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe inovacioni shkencor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, investimet e huaja dhe investimet strategjikë mbesin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Selmanaj.

Gjithashtu sot, është miratuar edhe rregullorja për kufijtë e dozave dhe mbrojtjen nga rrezatimi e përcakton nivelin e referencës dhe kufizimet e dozave për ekspozimet profesionale, publike dhe mjekësore; kufijtë e dozave për punonjësit e ekspozuar, praktikantët, studentët dhe punëtoret e jashtëm të angazhuar në situata emergjente; si dhe nivelin e kufijve të radonit në vendet e punës.

Gjithashtu është votuar edhe për vendimet e Qeverisë që kanë mbetur në procedurat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ekzekutivi ka rekomandua që të procedohen tutje për shqyrtim në procedurat e Kuvendit, raporti i statistikave zyrtare për vitin 2019 dhe raporti tremujor financiar për vitin 2020, ndërsa të tërhiqen nga procedurat e Kuvendit Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale dhe Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024.

Qeveria e Kosovës me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme i ka rekomanduar presidentit të që të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore për financimin e “Projektit Emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Në parim është aprovuar edhe vendimi për nismën e miratimit të “Protokollit numër 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda CEFTA-s”./Tv Malisheva

Share.