Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që ta ftojë për raportim kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti para nisjes për në Uashington, ku do të mbahet takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, tha se do të ftohet kryeministri i Kosovës të raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës në takimin e 27 qershorit.
Ajo tha se datën kur do të mbahet kjo seancë do të caktohet në bashkëpunim me kryeministrin Hoti, por që tha se patjetër duhet të ndodhë para udhëtimit.
Osmani: Kryeministri t’i raportojë Kuvendit para se të niset për Uashington
“Me vendim unanim të anëtarëve prezent të kryesisë unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit në mënyrë që ai t’i raportoj Kuvendit para se të niset për Uashington për takimin e datës 27. Duke e pasur gjithnjë parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe duke pasur parasysh rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë Kuvendi dhe po ashtu detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë Kuvendit për çështje të politikës së jashtme. Pra, do ta ftojmë kryeministrin që të vijë në Kuvend dhe të debatojë dhe të raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit po ashtu, tha se të martën e javës së ardhshme do të mbahen dy seanca plenare, ku njëra do të jetë vazhdimësi e seancës së mbetur javën e kaluar që ka të bëjë me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërsa, seanca e dytë do të përfshijë pika të reja të rendit të ditës që kanë të bëjnë me krijimin e komisioneve ad-hoc për zgjedhjen e disa bordeve dhe disa komisioneve.
Po ashtu, Osmani tha se në këtë seancë mund të trajtohet apo një ditë tjetër interpelancë e kryeministrit Avdullah Hoti që ka të bëjë me heqjen e reciprocitetit.
Osmani deklaroi se kryesia ka miratuar kërkesën e saj që në qendër të Kuvendit të jetë një karrige e zbrazët për fëmijët e vrarë gjatë luftës.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi, dha kritika për kryeministrin e vendit për mos raportim në Kuvend.
Ai tha se kryeministri nuk po ndjehet borxhli ndaj qytetarëve të Kosovës, por vetëm ndaj presidentit e partive politike të koalicionit.
Selimi: Ai ndoshta nuk e ndjen vetën borxhli as ndaj qytetarëve
“Ka shprehur gatishmëri të diskutojë qoftë me Akademinë e Shkencave apo në zyrën e tij apo edhe në zyrën e presidentit, por jo në Parlamentin e Kosovës, të cilit nuk i ndihet borxhli. Prandaj sot në kryesi në emër të grupit tonë parlamentar e ngritëm si çështje që ai duhet të vijë këtu në këtë institucion të raportojë për atë çka po proklamon që është i gatshëm ta bëjë siç është udhëtimi i tij me 27 ku do të flitet për Kosovën. Ai ndoshta nuk e ndjen vetën borxhli as ndaj qytetarëve, e as ndaj Parlamentit, ai ndoshta e ndien vetën borxhli vetëm ndaj presidentit, LDK-së, AAK-së, Nismës, e Srpska-së, por përderisa flet për Kosovën atje duhet ta ndiej vetën borxhli dhe t’i raportojë Kuvendit të Kosovës, i cili përfaqëson qytetarët e Kosovës. Një kryeministër ilegal dhe ilegjitim po e shpërfaq edhe një herë vetën i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe ndaj Parlamentit të Kosovës”, tha ai.
Selimi tha se nëse nuk do t’i përgjigjet kërkesës për raportim, do t’i mbledhin nënshkrimet për ta sjell në Kuvendin e Kosovës Hotin, të cilit tha se nuk mund t’i referohet si kryeministër.
Sa i përket ftesës së kryeministrit Avdullah Hoti për liderët politikë për të diskutuar për çështjen e dialogut, Selimi tha se LVV nuk ka pse t’i shkojë në zyrën ku është në mënyrë jo legjitime.
Selimi: LVV e thërret atë, jo që ai të na thërras neve
“LVV e thërret atë, jo që ai të na thërras neve. Pra, ne nuk kemi pse t’i shkojmë në atë zyre ku është në mënyrë jo legjitime dhe jo legale. Ai duhet të kthehet në institucionin legal dhe legjitim siç është Parlamenti i Kosovës, prandaj para se ai të na presë në zyrën e tij e presim ne në seancën e Kuvendit”, tha ai./ Tv Malisheva