Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se vendi i tij mbetet përkrahës i vazhdueshëm dhe partner kyç për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Gjatë një takimi sot me ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, diplomati amerikan nënvizoi kërkesën e madhe publike për veprime të menjëhershme qeveritare për të luftuar korrupsionin dhe fuqizuar sundimin e ligjit.
Nga ana e tij ministri Selim Selimi ka vlerësuar asistencën amerikane përmes projekteve ndër vite, të cilat kanë mundësuar forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.
Ai informoi ambasadorin Kosnett, se që në nisjen e mandatit të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë, është orientuar drejt veprimeve konkrete që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si beteja më e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit në vend.
“Pas takimeve të para që kam zhvilluar me udhëheqësit e departamenteve dhe agjencive, që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, kam identifikuar veprime të menjëhershme, të cilat duhet të ndërmerren. Me këtë rast, në Shërbimin Korrektues janë suspenduar nëntë zyrtarë për keq menaxhim të fondeve, respektivisht moszbatim të rekomandimeve të auditorit kombëtar. Ndërsa, nga Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi, kam kërkuar intensifikimin e përpjekjeve kundër korrupsionit në administratë të shtetit, me ç’rast avokatët shtetërorë tani e tutje janë të obliguar të ngrenë kallëzime të menjëhershme penale për vepra korruptive”, tha ministri Selimi./ Tv Malisheva