Prokuroria në Gjilan ka ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, nga neni 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit Z.D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019, në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K. dhe J.K., që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, të përkrahin dhe të votojnë Listën Serbe.

Të dyshuarit, fillimisht më 26 shtator 2019, kanë ushtruar presion tek i dëmtuari O.K., duke e futur në veturë kinse për t’a kontrolluar, pastaj e kanë kanosur përmes telefonit, në mënyrë që i njëjti t’iu bindej udhëzimeve të tyre.

Ndërsa, më 27 shtator 2019, të dyshuarit e lartshënuar, kanë vazhduar presionin ndaj të dëmtuarit S.K., në atë mënyrë që e fusin në veturën e tyre, kinse për të biseduar pavarësisht vullnetit të tij, deri atëherë kur i dëmtuari e shfrytëzon momentin kur vetura nuk ishte në lëvizje dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Në vazhdën e presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, dyshohet që për shkaqe politike, të dëmtuarës J.K., iu është ndërprerë marrëdhënia e punës nga Shtëpia e Shëndetit në fshatin Pasjan dhe vendimi të njëjtës iu është dorëzuar më 30 shtator 2019.

Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, përpos deklaratave të të dëmtuarve – dëshmitarëve, posedon edhe prova tjera materiale (incizime telefonike, sms) dhe brenda afatit ligjor do të vendosë mbi masën e sigurisë së të pandehurve, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale.

Share.