Për herë të parë Kosova ka udhëhequr presidencën e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Zyrtarë institucionalë, deputetë dhe diplomatë të huaj këtë të premte theksuan nevojën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes shteteve në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse të ndarë me njëri-tjetrin dhe virtualisht, u theksua nevoja e arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa u kërkua edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në hapje të punimeve shprehu gatishmërinë e Kosovës për zgjatjen e dorës së bashkëpunimit me të gjitha shtetet që ndajnë vlera të njëjta.
Osmani: Kosova është e gatshme të zgjasë dorën e bashkëpunimi të gjithë atyre që ndajnë vlera të njëjta
“Integrimi në BE është njëri ndër qëllimet kryesore në shumicën e vendeve të regjionit. Kjo qasje e re për përafrimin në BE ka ngritur disa shqetësime duke parë që procesi është më i ndërlikuar se ka qenë fillimisht. Kjo nuk ka qenë tendenca fillestare e komisionit dhe e shteteve anëtare…Të afirmoj përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit regjional, duke bërë partner të besueshëm vetën në rajon që garanton paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësorë. Kosova e ka dëshmuar këtë gjatë gjithë historisë së saj se është e gatshme të zgjatë dorën e bashkëpunimit ndaj të gjithë atyre që ndajnë vlera të njëjta”, tha ajo.
Bashkëpunim më të madh rajonal, kërkoi edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila tha se marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë vendimtare në rimëkëmbjen ekonomike.
Apostolova: Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë vendimtare në rimëkëmbjen ekonomike
“Bashkëpunim regjional është faktor për stabilitet dhe zhvillimin socio-ekonomik të regjionit. Siç e dini ky është një projekt regjional paqësor. Rëndësia që i japim bashkëpunimit regjional është shumë e madhe. Ne presim përparime në këto fusha kyçe që janë në zemrën e agjendës regjionale përpara…bashkëpunimi regjional dhe marrëdhëniet e mira fqinjësorë do të jenë vendimtare në rimëkëmbjen ekonomike të regjionit”, tha ajo.
Për të arritur këtë bashkëpunim, Apostolova kërkoi të largohen të gjitha pengesat e së kaluarës ndërmjet vendeve rajonale.
Sipas saj një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëjë që dy shtetet të ecin në rrugën e BE-së.
Apostolova: Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe obliguese është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të ecin kah rruga e BE-së
“Marrëveshjet gjithëpërfshirëse dhe obliguese ligjore janë të rëndësishme në mënyrë që Serbia dhe Kosova të ecë ka rruga e BE-së. BE-a ka afirmuar përkushtimin e saj ndaj këtij procesi…16 dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që është e mundur”
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit të Përhershëm të AP-së, njëherësh deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se nevojitet bashkëpunimi më i madh rajonal në mënyrë që të vazhdohet tek një e ardhme më e qëndrueshme.
Derisa shfaqi brenga në arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbisë, e njëjta tha se ekziston rreziku që të përfshihet shkëmbimi i territoreve.
Pacolli: Ekziston rreziku që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të përfshinë shkëmbimin e territoreve
“Ekziston rreziku që marrëveshja përfundimtare, që përfshinë shkëmbim të territoreve mund të qohet tutje me legjitimisht duke kërcënuar stabilitetin ën Kosovë dhe regjion”, tha ajo.
Në kuadër të paneleve të këtij forumi do të ketë diskutime të ndryshe të cilat përafrojnë më shumë vendet rajonale./Tv Malisheva