Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ,Valdete Daka ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se komisionerët në vendvotime në të gjitha komunat me shumicë serbe do i njohin të gjitha dokumentet për identifikim.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se udhëzimet e miratuara në KQZ janë obligative për të gjithë dhe se të gjithë komisionerët që nuk do e respektojnë udhëzimin për përdorim të dokumenteve për identifikim do të kenë konsekuenca juridike.
Sipas saj, qytetarët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm me dokumente identifikuese të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se Beogradi përmes Listës Serbe është duke bërë presion dhe po shantazhon qytetarët serb që jetojnë në Kosovës dhe subjektet politike serbe që janë në garë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Rrustemi u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë në Kosovë të jenë më aktive dhe të krijojnë një mjedis të mirë që të gjitha partitë politike aktivitet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në një frymë demokratike.
Kurse, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Gashi tha se komunitet serb duhet të jetë imun ndaj këtyre tentimeve nga Beogradi, derisa theksoi se KQZ do jetë vigjilent karshi çdo situate të mundshme.
Në këtë mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u akredituan edhe 432 vëzhgues të tjerë, ku numri i plotë i vëzhguesve është 34 mijë 435 vëzhgues.