Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do të votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare financiare që janë duke u diskutuar në Kuvendin e Kosovës.
Hekuran Murati, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere ka thënë se si komision i kanë dhënë dritën e gjelbër këtyre marrëveshjeve. Ndërsa, në emër të grupit parlamentar të LVV-së Murati tha se nuk do të marrin pjesë në votim, pasi sipas tij do t’u mundësonte një qeverie ilegale dhe jo legjitime të fus vendin në obligime afatgjata.
“Megjithëse si grup parlamentare vlerësojmë marrëveshjen si të mirë, megjithatë nuk mund të marrim pjesë në votim për një marrëveshje e cila mundëson një qeverie ilegale dhe jo legjitime që të shpenzojë dhe të fus vendin në obligime afatgjata, marrë parasysh mungesën e ligjshmërisë së kësaj qeverie. Për më tepër kur është rrëzuar në mes të pandemisë një qeveri që kishte legjitimitet të plotë popullor, atëherë në mes të pandemisë u patën siguruar 82 vota, kështu që mendoj do të duhej prapë të bije barra mbi koalicionin qeverisës që t’i sigurojë votat për ratifikimin e kësaj marrëveshje”, tha ai.
As PDK nuk do të marrë pjesë në votimin për këto marrëveshje. Memli Krasniqi në emër të PDK-së, tha se nuk kanë vota për qeverinë e mashtrimeve.
Krasniqi: Nuk do të marrim pjesë në votim të pikave në vijim
“Kjo qeveri dhe ajo që u shkarkua para saj ashtu si LDK dhe VV janë dy anë të së njëjtës monedhë, sepse qasja e tyre për këto marrëveshje ka qenë e njëjtë edhe në të kaluarën. Realisht mirë që kanë ardhur këto marrëveshje, por prioritetet edhe të qeverisë edhe të Kuvendit duhet të jenë tjera, në këtë rrjedhojë të këtyre zhvillimeve mos pritni votë nga PDK, sepse ne nuk mund të kemi votë për qeverinë e mashtrimeve 2.0. Ju duhet t’i sillni në Kuvend në radhë të parë me prioritet ligjet që i ndihmojnë qytetarët e dëmtuar në pandemi, sepse prioritet tash për tash janë ato.. Nuk do të marrim pjesë në votim të pikave në vijim, të gjitha që janë në vazhdim të kësaj seance”, tha ai.
Ndërsa partitë pjesë e koalicionit kanë bërë ftesë që këto marrëveshje të votohen, pasi sipas tyre janë në të mirë të qytetarëve të vendit.
Në emër të grupit parlamentar të LDK-së Shkelzen Hajdini, tha se i përkrahin këto marrëveshje.
Hajdeni: Jemi për ratifikimin e kësaj marrëveshje
“Jemi për ratifikimin e kësaj marrëveshje”, tha ai.
Ftesë për t’u përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare ka bërë edhe deputeti Gazmend Abrashi, në emër të AAK-së, që sipas tij janë në interes të qytetarëve të Kosovës
Abrashi: Janë në interes të qytetarëve të Kosovës
“Ju ftojë që ta votojmë marrëveshjen për institucionet ndërkombëtare për fonde dhe projekte që janë në interes të qytetarëve të Kosovës. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke forcuar kapacitetin financiar të fondit kosovar për garanci kreditore. Projekti është i negociuar nga MF në bashkëpunim me Bankën Botërore si partner i rëndësishëm i Kosovës”, tha ai./ Tv Malisheva