Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një statusi në Facebook tha se në situatën e krijuar para një takimi me Vuçiqin nevojitet që liderët politikë të vendit të takohen edhe një herë mes veti, në mënyrë që të gjendet rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme.

Sipas tij, në Uashington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan.

Statusi i plotë i Mustafës:

Në LDK nuk ka konfuzion se a duhet të shkojë Kryeministri në Ëashington apo jo.

LDK beson fuqishëm në SHBA-të.

Për ne Uashington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan.

Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet ti prijë delegacionit.

Është e mjerueshme të mendohet e të shkruhet se z. Hoti si Kryeministër e ka tani shansin të shkojë e ti prijë delegacionit, pasi tani nuk është Thaçi për shkak të Gjykatës Speciale.

Nuk kemi të bëjmë me Z. Thaçi dhe z. Hoti por kemi të bëjmë me shtetin e Kosovë.

Bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe BE nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me proceset dhe procedurat e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale.

Në situatën e krijuar, para se të takohemi me Vuçiqin nevojitet të takohemi edhe një herë mes veti, të ulemi të gjithë bashkë të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje. IM

Share.