Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit V. M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale ‘fajde’.
Sipas gjykatës, i dëmtuari N. Th., nga i pandehurit kishte marrë para në shumë prej 1200 euro me kamatë mujore prej 10%, ku i dëmtuari kamatën në shumë prej 120 euro e kishte paguar çdo muaj.“Përsëri i dëmtuari kishte marrë para në shumë prej 3500 euro me kamat 10% duke bërë pagesë për çdo muaj në shumën prej 350 euro, dhe meqenëse i dëmtuari në pamundësi të kryerjes së pagesës, i pandehuri i ka telefonuar të dëmtuarit duke i kërkuar borxhin kryesorë së bashku me kamatën për 3 vitet e fundit.
Nga masa e fshehte e simulimit e kryer me datë 02 tetor 2019, rreth orës 14:00 i dëmtuari i dorëzon të pandehurit shumën prej 4000 euro në emër të fajdes, të siguruar nga ana e Policisë së Kosovës. Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Fajdeja”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 02 tetor 2019 dhe do të zgjasë deri më 02 nëntor 2019. Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Shaqir Zika, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.