Me rastin e zgjedhjeve në Serbi më 21 qershor, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), e cila mbledh parti liberale në kontinent, vlerësoi në një deklaratë se ato nuk ishin të lira dhe të drejta.

Presidenti i ALDE, Hans van Balen shprehu keqardhje që asnjë parti liberale nuk hyri në parlament dhe tha që ai kishte frikë se, me fuqinë konsoliduese të partisë në pushtet dhe mungesën e mundshme të opozitës dhe kontrollit parlamentar, ky rezultat do të dëmtonte demokracinë në Serbi.

“Pjesëmarrja ishte më pak se 50%, që është një shenjë e qartë për mua se elektorati ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj këtij votimi duke mos dalë dhe duke rrezikuar shëndetin e tyre në rrethanat aktuale të koronavirusit”, tha Van Balen, duke shtuar se opozita tani do të ishte në rrugë, jo në parlament.

Anëtarët e ALDE, së bashku me partinë e presidentit francez Emmanuel Macron, formojnë grupin liberal “Le të Rinovojmë Evropën” në Parlamentin Evropian, i cili është i treti më i madh.

Anëtari i Parlamentit Evropian Ilhan Kjuçuk shtoi se, për fat të keq, rezultati i zgjedhjeve në Serbi ishte shumë shqetësues.

“Zgjedhja e votuesve ishte e kufizuar nga avantazhi dërrmues i partisë në pushtet dhe promovimi i politikave qeveritare në shumicën e mediave kryesore.

Bojkotimi i shumë partive opozitare i dha zotit Vuçiq pushtet absolut me një shumicë prej dy të tretave në parlament dhe shpresoj se ai nuk do ta përdorë këtë mundësi për të minuar demokracinë.

Ai do të vazhdojë punën e tij me parti dhe lëvizje liberale dhe do të monitorojë nga afër situatën në Serbi, sepse e ardhmja evropiane e këtij vendi nuk duhet të vihet në dyshim,” tha ai./Tv Malisheva

Share.