Ndonëse në agjendën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ishte paraparë takim me liderin e AAK-së Ramush Haradinaj në orën 11.00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Askush nga AAK nuk pranuar të flasë rreth anulimit të këtij takimi, por vetë Ramush Haradinaj në një emision dje kishte deklaruar se nuk do të takohet me kryeministrin Rama.

Kujtojmë se Rama e ka paditur për shpifje Haradinajn, pasi ky i fundit deklaroi se kryeministri shqiptar është i përfshirë në idenë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuara në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve.

Në padi ndër tjera thuhet, se deklaratat e Haradinajt janë bërë në kuadër të debateve rreth dialogut Kosovë-Serbi.

“Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar, se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të ketë thënë Rama në tekstin e padisë.

Sipas Ramës, “Haradinaj është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete, të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme, sipas së cilës “kryeministri i Shqipërisë në personin e paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Kosovës në veçanti”./Tv Malisheva

Share.