Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka marrë pjesë në takimin virtual të organizuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), mbështetur nga aktiviteti i USAID-it “Drejtësia Vlen”, ku është diskutuar rreth sfidave që janë identifikuar nga ANJF, në veçanti gjatë periudhës së fundit në raport me situatën e krijuar nga masat e ndërmarra për parandalimin e COVID-19.
Ministri Selimi gjatë këtij takimi tha se Agjencia për Ndihmë Juridike Falas është institucion i rëndësishëm përmes së cilit qytetarët sigurojnë qasje efikase në sistemin e drejtësisë dhe shërbime juridike falas.“Mbrojtja juridike falas është e domosdoshme për grupet e ndjeshme dhe të margjinalizuara, të cilat mund të këshillohen apo të shikojnë se si të kenë barazinë e palës brenda procesit”, tha ministri Selimi.
Sipas ministrit Selimi, qasja në drejtësi është një nga prioritetet e planit të tij qeverisës.“Qasja në drejtësi për ne ende është një çështje në të cilën duhet të punojmë, qoftë për shkak të stigmatizimit social, të pengesave gjeografike apo çështjeve tjera të cilat pengojnë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në drejtësi në mënyrë të barabartë”, deklaroi ministri Selimi.
Ministri Selimi tha se është e rëndësishme të avancohet infrastruktura ligjore për çka falënderoi GIZ-in dhe USAID-in për ndihmë, ndërsa potencoi që krahas kësaj e rëndësishme është edhe infrastruktura institucionale.“ Në qoftë se një person në nevojë nuk mund t’i qaset drejtësisë, atëherë drejtësia duhet t’i ketë mekanizmat që të jetë e qasshme për të, jo për shkaqe humanitare, por për shkaqe të sjelljes së domosdoshme të drejtësisë në vendin e vet.
Është shumë e rëndësishme që ANJF t’i ketë kushtet e mira, si ato kadrovike, logjistike, por edhe të dijes dhe kapacitetit juridik, që të ofrojë shërbimet për ndihmë juridike falas”, tha ministri Selimi./Tv Malisheva