Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami takuan sot guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti dhe drejtuesit e TRUST-it, me të cilët biseduan për ecurinë e procesit të implementimit të nismës së Qeverisë për t’ua krijuar qytetarëve mundësinë e tërheqjes së 10% të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, me qëllim të zbutjes së pasojave ekonomike si pasojë e krizës me Covid-19.
Me këtë rast, kryeministri Hoti kërkoi përshpejtimin e këtij procesi, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që qytetarët ta kuptojnë se mundësia për ta tërhequr 10 përqindëshin e kursimeve të tyre nuk është politikë sociale, por është pjesë e vendosmërisë së qeverisë për të ndihmuar qytetarët, në mënyrë që ata ta përballojnë sa më lehtë gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë.
Ndërsa, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti dhe drejtuesit e TRUST-it u zotuan se do t’i intensifikojnë punët për lehtësimin e procesit, duke u krijuar qytetarëve qasje më të lehtë në të dhënat e tyre dhe në shtjellimin e ecurisë së tërheqjes së mjeteve personale, pas ndryshimeve të nevojshme ligjore./Tv Malisheva