Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se së shpejti do të emërojë koordinatorin shtetëror për Këshillin e Ekspertëve për dialogun, të cilin e votuan dje në mbledhjen e qeverisë.

Duke mos i treguar emrat e të tjerëve që do të jenë pjesë e këtij Këshillit, Hoti tha se si qeveri do të raportojnë në Kuvendi për çdo zhvillim në procesin e dialogut.

Hoti: Këshilli i Ekspertëve për dialogun do të ketë së shpejti koordinatorin shtetëror

“Dje kemi formuar Këshillin e Ekspertëve brenda Zyrës së kryeministrit, i cili do të mbështesë profesionalisht procesin e dialogut, në krye të cilit në bazë të Kushtetutës është kryeministri i cili koordinon punën dhe bën ndërlidhjen edhe të forumit të liderëve të partive politike edhe të Këshillit të Ekspertëve, i cili do ketë një koordinator shtetëror për dialog, të cilin do ta emëroj së shpejti. Dhe mandej komunikimi me Kuvendin që është dakorduar që në baza të rregullta përmes një rezolute që pritet të kalojë në Kuvend, t’i raportojë Kuvendit për çdo zhvillim në procesin e dialogut”, tha Hoti.

Lidhur me emërimet e zëvendësministrave të shumtë nëpër ministri, kreu i ekzekutivit tha se kjo është pjesë e marrëveshjes politike.

Hoti: Ato janë emërime politike që bëhen sipas marrëveshjes

“Ato janë emërime politike, të cilat i bëjmë në bazë të marrëveshjeve politike me partnerët e gjithë koalicionit duke iu përmbajtur kritereve që i kemi vendosur në marrëveshje edhe numri i anëtarëve nëpër kabinete të ministrave dhe zëvendësministrave përcaktohet me rregullore të qeverisë”, tha ai.

Ndryshe, deri tani janë emëruar 46 zëvendësministra. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri ka thënë se me projektligjin për Qeverinë është paraparë të jenë 15 ministri dhe dy të tjera në diskrecion të mandatarit.

Derisa Qeveria synon që me ligj të saktësojë numrin e zëvendësministrave në rreth 40, ekzekutivi tashmë e ka tejkaluar këtë numër./Tv Malisheva

Share.