Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavaci ka reaguar pas deklarimeve të Listës Serbe se do të mbështesin presidentin serb Aleksandar Vuçiq në luftën e ardhshme politike dhe diplomatike për Kosovën, duke thënë se kjo tregon për rrezikun nëse kryeministri Avdullah Hoti do të vazhdojë bisedimet me Beogradin.

“Komunikata e djeshme e Listës Serbe, partnerit të këtij koalicioni qeverisës jo legjitim, nuk mund të jetë as e rastësishme e as e paqëllimshme. Të vetëdijshëm për fuqinë shantazhuese që e ka secili nga dhjetë deputetët serb, duke ditur ambiciet e këtij koalicioni qeverisës për pushtet me çdo kusht, Beogradi përveç tjerash po përcjell edhe mesazhe politike”, ka thënë Nagavci.

Për më tepër Nagavci ka kritikuar Qeverinë Hoti se po hesht përballë deklarimeve antikushtetuese të Listës Serbe, pasi që ajo është e varur nga votat e deputetëve serbë.

“Po duan të bëhen pjesë e procesit të dialogut me Serbinë, pa ditur agjendën, pa ditur përbërjen e grupit dialogues, pa ditur platformën, por duke e ditur se zv.kryeministri dhe një pjesë e Qeverisë Hoti kanë synim të përkrahin Serbinë në luftën diplomatike kundër Kosovës. Edhe pse kjo s’duket diçka e re e as shqetësuese për këtë Qeveri që tashmë hoqi reciprocitetin e iu gjunjëzua Serbisë. Por derisa ju zoti Hoti dhe qeveria jo legjitime edhe mund të toleroni këto qëndrime, ne të tjerët nuk mundemi e nuk do t’i tolerojmë”, shkruan Nagavci në Facebook./ Tv Malisheva

Share.