Anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës kanë pritur me indinjatë aktakuzën e pakonfirmuar të prokurorit të Gjykatës Speciale ndaj dy personaliteteve kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe nëntë të tjerëve për kinse krime lufte.
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës gjykon këtë akt të papranueshëm, aktakuzën e pashpallur e të publikuar dhe akuzimin e atyre që për lirinë e Kosovës vepruan deri në sakrificë, pa kursyer as jetën e vet.
“Kjo gjykatë, që në fillimet e saj u gjykua nga shumëkush, nisi nga kreu i UÇK-së, nga ata që dhanë gjithçka për lirinë e këtij vendi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerë ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, emra që kanë mbrojtur popullatën nga krimi duke iu kundërvu atij, sepse forcat serbe pa dyshim nuk kanë kursyer asnjë moshë për të treguar barbarinë e tyre.
Shkrimtarët jetojnë me heroizmat, me lavdinë, krenarinë dhe me sakrificat e jashtëzakonshme që kanë bërë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithmonë kanë qenë me ta e do të jenë sa të ketë jetë”, thuhet në komunikatë.
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës thotë se nuk ka ndodhur askund në botë që të akuzohen çlirimtarët e të mos fajësohen agresorët e shtypësit, ata që kanë bërë krime makabre, që kanë marrë dhe kufomat e i kanë hedhur në ujërat e gropat serbe për të humbur gjurmët e krimeve.
“Prandaj, nuk qe e rastit që të bashkërenditen veprimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të NATO-s, të botës demokratike që po gjykonte e po dënonte dhunuesit e lirisë, ata që po bënin gjenocid mbi shqiptarët. UÇK-ja ishte masive, një vendosmëri e paparë e shqiptarëve, një heroizëm që nga luftërat e Skënderbeut deri në luftën e lavdishme për liri të luftëtarëve sypatrembur, që pas një shekulli pushtimi të arrijnë të dalin nga prangat serbe me shumë sakrifica”, përfundon komunikata./Tv Malisheva