Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “trafikim me njerëz” dhe “shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, pas pranimit të informatës për një rast ku dyshohej për trafikim me njerëz, ka filluar veprimet operativo-hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda.

Gjatë kontrollit në një banesë në Fushë Kosovë janë arrestuar të dyshuarit me inicialet S.S. viti i lindjes 1979 dhe J.Sh. viti i lindjes 1978.

Hetuesit policorë në vend ngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdorën në procedura të më tejme gjyqësore.

Viktimat e rastit janë trajtuar sipas procedurave standarde për viktimat e trafikimit, të njëjtat janë dërguar në strehimore të sigurt.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Share.