Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj se diskursi thellësisht përçarës politik brenda institucioneve dhe jashtë tyre pengon arritjen e konsensusit nacional dhe tejkalimin e vështirësive të krijuara pas shpërthimit të pandemisë COVID19.
Përmes një komunikate për media, OEAK thekson se dialogu konstruktiv ndërmjet hisedarëve politikë në rend të parë nuk ka alternativë, për shkak të nevojës për menaxhimin e pandemisë COVID19 si dhe të gjitha pasojave të shkaktuara nga ajo në aspektin shëndetësor, si dhe atë ekonomik e social.
Vonesat e mëtejme në aprovimin e ndryshimeve të kornizës buxhetore por edhe të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare do të vonojnë disbursimin e mjeteve të zotuara në ndihmë të ndërmarrjeve dhe punonjësve të sektorit privat, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit.
Oda Amerikane beson fuqishëm se temat e natyrës populiste dhe lufta e padinjitetshme politike në këtë fazë do të rrënojnë prospektet e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë COVID19, ndërsa në vend të përpjekjeve të gjithëmbarshme për përmirësimin e imazhit të vendit dhe rezonimin e stabilitetit, partitë politike me diskursin konfliktnxitës po rëndojnë më tej imazhin jo të mirë të cilin e gëzon Kosova.
Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se muajt në vijim do të shpërfaqin pasojat reale në aspektin ekonomik e social, për shkak të mbijetesës së vështirësuar të një numri të ndërmarrjeve, kryesisht të vogla dhe të mesme, të cilat janë burimi më i rëndësishëm i vendeve edhe ashtu të pakta të punës për qytetarët e Kosovës.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane fton edhe një herë ligjvënësit e vendit që të tejkalojnë mospajtimet partiake dhe të vihen në shërbim të qytetarëve dhe ndërmarrjeve, duke i hapur rrugë zhvillimit ekonomik, ruajtjes së vendeve të punës dhe progresit aq shumë të nevojshëm./Tv Malisheva