Propozim-aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçi, e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e konsiderojnë si tendencë për të njollosur luftën për liri të popullit të Kosovës.
Elmije Plakiqi, që kishte shërbyer në Zonën e Pashtrikut gjatë luftës, thotë se propozim-aktakuza ndaj Thaçit e Veselit e dëmton rëndë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa vet Gjykatën Speciale e quan si të padrejtë dhe selektive.
Plakiqi: Propozim-aktakuzat e dëmtojnë rëndë luftën e UÇK-së
“Jo vetëm që e dëmton rëndë luftën e UÇK-së, e cila dihet që është një luftë e drejtë dhe çlirimtare dhe në vend që të gjykohen ata që kanë bërë krime dhe gjenocid, për afër dy dekada akuzohen, maltretohen, gjykohen ata që kanë bërë një luftë të drejtë dhe çlirimtare dhe që e kanë luftuar krimin dhe gjenocidin në Kosovë. Prandaj, kjo aktakuzë është e padrejtë jo vetëm për këta dy udhëheqës… Kjo është e papranueshme jo vetëm si UÇK, po edhe si popull i Kosovës e si komb shqiptar në përgjithësi”, thotë ajo.
Edhe ish-ushtarja e UÇK-së, Sanije Rexha, që kishte shërbyer në zonën operative të Drenicës, propozim-aktakuzën e quan si të padrejtë.
Ajo thotë se Gjykata Speciale me publikimin e propozim-aktakuzës nuk ka akuzuar vetëm dy persona, por të gjithë historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rexha: Kjo aktakuzë iu ka bërë gjithë luftës së UCK-së
“Si ushtare e UÇK-së mund të them lirshëm që kjo aktakuzë nuk iu ka bërë vetëm presidentit dhe kryetarit të PDK-së, por iu ka bërë të gjithë historisë sonë kombëtare, luftës së UÇK-së, heronjve kombëtarë dhe të gjithë popullit të Kosovës… Është një aktakuzë qëllimkeqe, një aktakuzë drejtpërdrejtë që i shërben shtetit kriminel serb… Nuk duhet të heshtim përballë këtyre aktakuzave që i bëhen UÇK-së, të thuash individuale kjo është absurde, këtu po akuzohet ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po akuzohen heronjtë tanë”, thotë ajo.
Ajo thotë se në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Thaçit e Veselit duhet të ngrihet i gjithë populli.
Ndërsa, ish-ushtarja Fidajete Spahiu, e njohur me nofkën “Fortesa” që ka shërbyer në zonën e Drenicës, shprehet e bindur në pafajësinë e presidentit të vendit dhe liderit të PDK-së.
E propozim-aktakuzën e quan të padrejtë, të ligë dhe që është një goditje për shtetin e Kosovës.
Spahiu: Gjykata Speciale dhe qarqe të caktuara po mundohen ta njollosin UÇK-në
“Gjykata Speciale dhe qarqe të caktuara po mundohen ta njollosin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por nuk ka akuzë dhe gjykatë që mund ta dëmtojë dhe njollos atë, luftën që e ka bërë UÇK ishte e drejtë dhe e pastër dhe sado që të mundohen ta degradojnë ajo do të mbetet një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
Unë personalisht jam krenare dhe e lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e UÇK-së… Gjykata Speciale është e padrejtë dhe unë mendoj që është edhe e njëanshme. Çdo aktakuzë e ngritur ndaj bashkëluftëtarëve tanë është e padrejtë dhe e pakuptimtë…, por unë jam e bindur në pafajësinë e presidentit Thaçi dhe kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve tanë, që padrejtësisht po ballafaqohen me akuza të pavërteta”, thotë ajo.
Propozim-aktakuza nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale ndaj Thaçit e Veselit është bërë publike me 24 qershor, pak ditë para se të mbahej takimi Kosovë-Serbi në Uashington i cili pastaj u anulua.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, sot do të paraqitet në Hagë për intervistim./Tv Malisheva