Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë diskutuar rreth mundësisë së mbajtjes së seancave online.
Besa Gaxherri kërkoi ndryshim të rregullores së Kuvendit në mënyrë që të seanca të mbahen në distancë, siç tha ajo, për shkak të përhapjes së koronavirusit edhe të deputetët.
Gaxherri propozoi mocion dhe takim në mes të grupeve parlamentare me urgjencë, meqë sipas saj, në mbledhjet e radhës mund të mungojnë shumë deputetë për shkak të infektimit me Covid-19.
Gaxherri: Të ndryshojmë rregulloren dhe të punojmë nga largësia
“Të ndryshojmë rregulloren e Kuvendit dhe të kemi mundësi të punojmë nga largësia, për arsye se deri tani dhjetë deputetë janë të testuar pozitiv me virusin Covid. Jam shumë skeptike dhe dyshoj që një numër shumë më i madh këtu prezent jemi të infektuar, andaj koha është urgjente të ndryshojmë rregulloren, duke u takuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare me një tekst të thjeshtë që për shkak të pandemisë aktuale seanca të mbahet nga largësia për afatin kohor 1,2,3 apo sa të shohim ne të arsyeshme si grupe parlamentare”, tha ajo.
E Daut Haradinaj i AAK-së, tha se votimi online do të ishte lehtësim në rrethanat aktuale.
Haradinaj: Edhe një deputet i AAK-së pozitiv
“Votimi elektronik do të jetë forma e vetme në këtë rrethana, sa për informacion unë sot e kom edhe një deputet me Covid plus, i bjen që kjo veç po shkon duke u rritë, ka shqetësime brenda deputetëve edhe për pjesëmarrje por gjithsesi do ta japim përkrahjen por do ta gjejmë formën në konsultim edhe me kryesinë që të gjendet forma më e lehta si do të procedohet”, tha ai.
Për të marrë këtë vendim, nevojiten 80 votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se nuk ofrojnë mbështetjen që kjo të futet sot në rend dite, meqë sipas tij për këtë ka nevojë të debatohet.
Selimi: Kemi rezervat tona me nismën e LDK-së për ndryshim të rregullores
“Ne kemi me të drejtë rezervat tona lidhur me motivet e kësaj nisme, gjithsesi ne do të donim që Kuvendi i Kosovës të ishte funksional në të gjitha rrethanat në përputhje me rregulloren dhe legjislacionin në fuqi, por dua të jemi të sigurt që kjo nuk është një nismë për t’u keqpërdorur. Paramendojeni sikur dje qeveria ta kishte në dispozicion këtë rregullore sot do të kishim një tjetër situatë edhe në Kosovë edhe në Parlamentin e Kosovës. Andaj ne duhet ta shtjerrim debatin fillimisht me njëri tjetrin, që të jemi të sigurt për motivet e kësaj kërkese”, tha ai.
E sipas kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani për një gjë të tillë nevojitet konsensus i grupeve parlamentare.
Osmani: Kam propozuar mbajtjen e seancave online për të parandaluar infeksionet në sallë
“Meqenëse unë e kam propozuar këtë si ide qysh në mars, motivi ka qenë që të parandalohen infeksionet këtu në sallë, së paku për vete po flas, nuk mund ta di ose të flas në emër të motiveve të të tjerëve. E dyta, propozimi ka qenë që kjo të vlejë për një kohë të caktuar dhe e treta që mos të vlejë për votime të fshehta por vetëm votime të hapura, por megjithatë po ju njoftoj që amandamenti nuk është deponuar, nuk mund të hyjë në rend të ditës, sepse parakushti ka qenë që të ketë konsensus, dhe meqenëse nuk ka pasur konsensus nuk është deponuar, por kjo nuk i parandalon deputetët që të bëjë propozimet e veta”, tha ajo.
Ajo tha se kryesia do të provojë të pajtohet për këtë në mbledhjen e radhës.
Ndërsa Bedri Hamza i PDK-së, tha se e mbështesim mundësinë e votimit online.
Hamza: E mbështesim mënyrën e votimit online
“Për çështje me rëndësi për vendin dhe situata të caktuara, duke i eliminuar në maksimum situatat kur mund të ketë ndonjë shmangie prej qëllimit të mirë të amandamentimit të kësaj rregullore, ne si grup parlamentar e mbështesim që të kemi mundësinë të votohet edhe online”, tha Hamza./Tv Malisheva