Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se ai ka “tradhtuar” SHBA-në.

Trump në anën tjetër ka parashikuar se vetëm Gjykata Supreme do ta zgjidhë këtë çështje.

“Për të ruajtur kushtetutën, demokracinë dhe integritetin bazik, ai duhet të shkarkohet”, u ka thënë Biden mbështetësve të tij në një marsh në Nju Hempshir.

Trump ka kërcënuar me krizë kushtetetuese, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetimet e Kongresit, andaj ka parashikuar se ky rast do të përfundojë në Gjykatën Supeme.

Ai u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Partia e tij Republikanë është “trajtuar shumë keq”. Hetimet ndaj tij kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Sipas informatorit, gjatë bisedës, Trump i ka kërkuar homologut të tij ukrainas që të nisë hetime për kundërshtarin e tij në garën për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, dhe përfshirjen e djalit të këtij të fundit, në një kompani ukrainase për energji.

Para thirrjes, Trump pati pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milonë dollarëve për Ukrainën, derisa biseda mes këtyre dy liderëve është fshehur në departamentin për informacione shumë të ndjeshme.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit. Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi./REL

Share.