Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel thotë se ka qenë kritike ndaj qasjes së ambasadorit Grenell rreth përpjekjeve të tij për rifillimin e dialogut Kosovë –Serbi, për faktin që sipas saj, zyrtari amerikan dëshironte të anashkalonte BE-në dhe qeverinë e dikurshme demokratike (v.j Qeverinë Kurti).
Në një intervistë ajo thotë se qytetarët e Kosovës e kanë merituar liberalizimin ashtu si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shton se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk lidhet me përparimet gjatë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Von Cramon fletë për mundësinë e liberalizimit të vizave gjatë presidencës gjashtëmujore gjermane të Bashkimit Evropian, qëndrimin e Francës rreth liberalizimit, pritjet e saj nga negociatat Kosovë-Serbi, pritjet nga Qeveria Hoti etj..
Intervista e plotë
Zonja Von Cramon, ju jeni raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, dhe ne do të donim që të kishim mendimin tuaj për situatën politike në Kosovë. Nga këndvështrimi juaj, a ka aktualisht stabilitet politik në Kosovë?
Von Cramon: Unë mendoj se situata politike është shumë e brishtë për momentin në Kosovë, por shpresoj se vendi mund të punojë së bashku dhe tani, veçanërisht për shkak të pandemisë, është i nevojshëm një veprim vendimtar, na duhet një politikë më e fortë për të punuar në përbërje dhe një mekanizëm i qartë dhe vendimmarrje e shpejtë për të ndaluar pandeminë. Është përgjegjësi e të gjithë akterëve politikë të sigurohen që vendimet të merren dhe pastaj të zbatohen.
Ju keni qenë shumë kritike kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, në një kohë kritike për qytetarët e Kosovës siç është pandemia. Mocioni tashmë ka ndodhur, a keni ndryshuar mendje tani?
Von Cramon: Unë ngrita shqetësimet e mia kur u mor vendimi, por gjithnjë isha në mëdyshje nga sjellja e disa grupeve politike në Kosovë, si dhe e disa akterëve të jashtëm për të rrëzuar këtë qeveri demokratike pas vetëm 50 ditësh. Jo vetëm unë, por shumë ekspertë kishin shqetësime serioze nëse ishte në përputhje me Kushtetutën, por Gjykata Kushtetuese vendosi në një mënyrë të caktuar, të cilën duhet ta respektojmë. Kjo është një çështje kryesore në një vend demokratik, që ne të pranojmë vendimin e një gjykate. Sigurisht, kjo nuk ishte një pyetje bardh e zi, dhe për fat të keq teksti i Kushtetueses nuk e bëri të lehtë për t’u parë qartë, por qeveria e re është në vend dhe natyrisht që do të punojë së bashku me ta siç kam bërë me qeverinë e kaluar.
Me siguri që po ndiqni nga afër zhvillimet brenda Kosovës, ju lutemi na tregoni mendimin tuaj për përshtypjet në lidhje me Qeverinë Hoti?
Von Cramon: Mund të them, se jam e lumtur që shoh që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit po rifillon përsëri nga BE, dhe unë e di që zoti Hoti është shumë i përkushtuar për suksesin e dialogut. Është e vështirë të vlerësosh punën e tyre pas një kohe kaq të shkurtër; veçanërisht shumë çështje në Kosovë nuk mund të zgjidhen shpejt, siç janë korrupsioni, sundimi i ligjit, shëndetësia ose sistemi arsimor. Këto reforma kërkojnë kohë më të gjatë dhe ndryshime të thella, por unë kam plot shpresë se Qeveria e Hoti do të dëshmojë gatishmërinë e saj për të vepruar. Në situatën aktuale, ne shohim pothuajse numra shumë të lartë të rasteve me COVID 19. Unë jam e informuar që kapacitetet e spitaleve janë në limite dhe situata po bëhet edhe më kritike. Prandaj dhe për hir të shëndetit të qytetarëve, unë me të vërtetë rekomandoj të dëgjoni ekspertë mjekësorë dhe të zbatoni masa më të rrepta për të parandaluar më shumë raste nga sa kemi parë në ditët e fundit.
Ju keni qenë gjithashtu një kritike e fortë për sa i përket mënyrës së përpjekjeve amerikane, ose më saktësisht të ambasadorit Grenell, për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ku ishte problemi?
Von Cramon: Z. Grenell dëshironte të anashkalonte BE-në dhe qeverinë e dikurshme demokratike (v.j Qeverinë Kurti). Nëse do të shikonit kohën dhe mënyrën e deklaratave të tij, nuk synonte të ndihmonte BE-në fare. Unë kam thënë që nëse duam stabilitet afatgjatë në rajon, do të na duhen edhe BE dhe SHBA, nuk mund t’i ndajmë ato dhe duhet të kemi një dialog, me BE-në në vendin e shoferit.
Përpjekjet e udhëheqjes evropiane për të gjetur një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur aq shumë sa që në këtë proces janë përfshirë udhëheqësit kryesorë evropianë si: Presidenti Macron, kancelarja Merkel, shefi i politikës së jashtme të BE-së Z. Borelli etj. Çfarë prisni nga ky proces?
Von Cramon: Jam e lumtur që shoh interes më të gjerë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Unë pres që së shpejti do të ketë rezultate të prekshme në negociata, natyrisht, nuk mund të them kur ose si saktësisht, por meqenëse të gjitha palët janë të interesuara për një marrëveshje, shpresoj se do të jetë e mundur të ketë një vendim përfundimtar, i cili mund të hap rrugën e integrimit evropian si një qëllim afatgjatë.
Le të flasim pak për problemin e liberalizimit të vizave për kosovarët, siç e dini për popullin e Kosovës, ky është një shqetësim shumë i madh që ndër të tjera, në Kosovë ka një lloj ofendimi për faktin se vetëm Kosova ka mbetur pa liberalizimin e vizave nga të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Çfarë po ndodh me këtë proces?
Von Cramon: Kjo varet vetëm nga Këshilli për të vendosur, ata duhet të kishin vendosur dy vjet më parë, shpresoj se gjatë kryesimit aktual të Këshillit nga gjermanët do të sillet në axhendën e Këshillit dhe së shpejti do të merret një vendim. Unë kam shkruar një letër kohët e fundit me 32 kolegë të tjerë duke kërkuar nga kancelarja Merkel që çështja e liberalizimit të vizave të diskutohet në muajt e ardhshëm.
Politikanët në Kosovë vazhdimisht kanë arsyetuar dështimin e liberalizimit të vizave me çështje që lidhen me politikën, një herë problemin e kufirit me Malin e Zi, pastaj tarifat dhe gjërat e tjera në një nivel patriotik. Doja një mendim të sinqertë nga ju, nëse procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës lidhet me përparimin në procesin e dialogut me Serbinë?
Von Cramon: Sipas mendimit tim, nuk është kështu. Padyshim që nuk duhet të jetë, sepse liberalizimi i vizave ka qenë një kërkesë zyrtare me standarde të qarta përgjatë procesit. Nuk ka vend për konsiderata politike në një proces zyrtar si ky. Por pastaj përsëri, nuk jam unë ai që vendos për këtë. Herën e fundit vetëm dy javë më parë në qershor, Parlamenti Evropian ka forcuar mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave të Kosovës me një shumicë dërrmuese.
A mendoni se diplomacia kosovare ka lënë pas dore faktorin e Gjermanisë dhe Francës vitet e fundit, ndërsa vitin e kaluar presidenti Macron dukej se dëshironte të tregonte se pa këta dy faktorë rruga e Kosovës drejt BE-së është e pamundur? (E kam fjalën për bllokadën që ai bëri në proceset e integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë veriore por edhe Kosovës)
Von Cramon: Ekzistojnë një numër faktorësh pse Franca është kaq ngurruese kur bëhet fjalë për zgjerimin dhe marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Fokusi i Francës ka qenë gjithmonë në pjesë të tjera rreth Evropës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe ka një numër konsiderimesh të brendshme dhe ndërkombëtare, si dhe për presidentin Macron. Të paktën ata kanë ndryshuar pozitën e tyre pak në lidhje me zgjerimin; metodologjia e re ishte diçka e pranueshme për ta. Shumë prej nesh brenda BE por edhe nga vetë Ballkani Perëndimor po përpiqemi të bindim publikun francez dhe politikanët francezë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto gjashtë vende janë menjëherë pranë nesh, historia, ekonomia, shoqëritë tona janë të ndërlidhura. Nëse BE nuk mund të ketë një zë të vetëm në familjen tonë të ngushtë, në vendet, të cilat dëshirojnë të bashkëpunojnë me ne, vende që janë të gatshme të bëjnë reforma serioze për një bashkëpunim më të mirë, atëherë si mund të shpresojmë se BE mund të ketë zë dhe fuqi të vërtetë globale?
Në Kosovë është një perceptim i përgjithshëm që pasi Gjermania mori presidencën e Bashkimit Evropian, çështja e liberalizimit të vizave do të ndodhë brenda kësaj periudhe gjashtëmujore. Në këtë drejtim, çfarë do t’u thuash qytetarëve të Kosovës?
Von Cramon: Unë jam përpjekur të sigurohem që ka shumë njerëz në Berlin, të cilët e kuptojnë problemin dhe shpresoj se ata do të jenë në gjendje të lehtësojnë një vendim në Këshill, sepse ne po humbasim besueshmërinë tonë kur nuk jemi duke përmbushur premtimin tonë. Qytetarët e Kosovës e kanë merituar liberalizimin ashtu si të gjitha vendet e tjera./Tv Malisheva