Numri i fëmijëve të vaksinuar në botë, që nuk ka pasur rritje tashmë që prej 10 vitesh, është ulur në mënyrë alarmante për shkak të pandemisë së COVID-19, paralajmëruan sot dy agjenci të OKB-së.

Para shfaqjes së koronavirusit në fund të vitit 2019, përqindja e vaksinës DTP3 (difteri, tetanoz dhe kolla e mirë) dhe rubeola kishte mbetur tashmë në nivelin 85%, me 14 milionë fëmijë të pavaksinuar në vit, kryesisht në Afrikë, kujton OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) dhe UNICEF (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët).

“Pandemia ka shkaktuar pengesa në fushatat e vaksinimit në tre të katërtën e 82 vendeve”, sipas një studimi në internet të realizuar në qershor nga dy agjencitë dhe Aleanca për vaksinën (Gavi).

Raporti shpreh shqetësim veçanërisht për uljen e vaksinës DTP3 në katër muajt e parë të vitit, për shkak të vështirësive të transportit, kufizimeve të shkaktuara nga pandemia apo frika e kontaminimit, raporton ATSh.

“Të paktën 30 fushata vaksinimi kundër rubeolës janë kërcënuar në mbarë botën”, theksojnë agjencitë.

“Vaksinat janë një nga mjetet më të fuqishme në historinë e shëndetit dhe më shumë fëmijë se kurrë tani janë imunizuar”, theksoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një deklaratë.

“COVID-19 e ka shndërruar atë që më parë ishte vaksinimi rutinë në një sfidë shqetësuese”, theksoi drejtoresha ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore.

“Ne duhet të rifillojmë programet e vaksinimit urgjentisht përpara se jeta e fëmijëve të kërcënohet nga sëmundje të tjera. Ne nuk mund të shkëmbejmë një krizë shëndetësore kundër një tjetre”, shtoi ajo./ Tv Malisheva

Share.