Vaksina që po prodhohet nga firma bioteknike amerikane, “Moderna” mund të jetë e para që hidhet në qarkullim për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Ajo hyri tani në fazën përfundimtare, ndërkohë gjatë fazës së dytë, vaksina rezultoi e suksesshme dhe e sigurtë. Në fazën e tretë vaksina do të testohet tek 30 mijë vullnetarë.

Vaksina që po prodhon kompania bioteknike amerikane, “Moderna”, rezultoi e suksesshme dhe prodhoi anti-trupa tek të gjithë 45 personat e përfshirë në studimin e fazës së dytë. Kjo do të thotë se vaksina është e sigurtë dhe nuk shkakton efekte të rënda anësore tek të rinjtë. Më vonë këtë muaj kompania do të fillojë fazën e tretë dhe të fundit drejt prodhimit të një vaksine përfundimtare kundër COVID-19.

Tek të gjithë personat e përfshirë në studim, vaksina eksperimentale e quajtur mRNA-1273 dha një përgjigje imunitare të ngjashme me atë që shihet tek njerëzit që janë infektuar natyrshëm nga COVID-19.

Asnjë vullnetar në studim nuk pësoi efekte serioze anësore, por më shumë se gjysma e tyre raportuan reagime të buta ose mesatare si lodhje, dhimbje koke, të dridhura, dhimbje të muskujve ose dhimbje në vendin e injeksionit, raporto nOra News.

Këto efekte kanë të ngjarë të ndodhin më shumë pas dozës së dytë dhe vetë tek njerëzit që morën një dozë më të lartë, tha ekipi studimor në New England Journal of Medicine.

Moderna ishte e para kompani që filloi testimin tek njerëzit më 16 mars, rreth 66 ditë pasi u publikua sekuenca gjenetike e virusit. Ekspertët thonë se një vaksinë është e nevojshme për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19 që ka infektuar mbi tre milionë vetë në mbarë botën dhe ka shkaktuar rreth 575.000 viktima.

Renditur mes vaksinave të para në garën botërore kundër koronavirusit të ri, kompania bioteknike amerikane, “Moderna”, ka marrë një financim prej 483 milionë dollarësh nga qeveria amerikane.

Instituti bioteknik amerikan “Moderna” njoftoi se më 27 korrik do të fillojë fazën përfundimtare të provave klinike, duke u bërë kompania e parë që arrin në këtë etapë. Faza e fundit do të përfshijë në studim 30 000 vetë dhe do të kryhet në partneritet me Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA-së.

“Objektivi kryesor i këtij studimi do të jetë për të treguar nëse vaksina pengon njerëzit të zhvillojnë simptoma të COVID-19”, theksoi Moderna në një deklaratë.

Nga rreth 30 000 vetë që do të marrin pjesë në këtë fazë vendimtare për SHBA-në, gjysma e tyre do të marrin një dozë prej 100 mikrogramë, të tjerët një medikament. Kjo është faza vendimtare e provave, e cila do t’u mundësojë shkencëtarëve të vëzhgojnë ndikimin e vaksinës në një shkallë më të gjerë për të penguar infektimin nga koronavirusi.

Protokolli është përfunduar me Agjencinë amerikane të Medikamenteve (FDA) dhe gjykimi do të bëhet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit (NIH)./ Tv Malisheva

Share.