Presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme do të intervistohet nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Ai për tri ditë rresht është intervistuar nga 6 orë, teksa të martën dhe të mërkurën nuk u prononcua për media.

Thaçi është paraqitur në Hagë me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka propozuar një aktakuzë për kinse krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Të martën, Thaçi nuk është deklaruar për media.

Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë.

Thaçi ka thënë më herët se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet./ Tv Malisheva

Share.