Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel kërkoi një marrëveshje për planin e rimëkëmbjes së ekonomisë së BE-së, dy ditë para një samiti të drejtuesve të 27 vendeve.
“Tani është koha. Një marrëveshje është thelbësore. Ne duhet të gjejmë zgjidhje dhe të arrijmë në një marrëveshje për të mirën e qytetarëve tanë”, shkruan ai në ftesën e tij për drejtuesit evropianë.
“Arritja e një marrëveshje do të kërkojë shumë punë dhe vullnet politik nga të gjithë”, theksoi ai.
Pjesë e negociatave, një plan rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh përbëhet nga 250 miliardë euro kredi dhe kryesisht subvencione në vlerën e 500 miliardë eurove, që nuk do të duhet të rimbursohen nga shtetet përfituese. Ai mbështetet nga buxheti afatgjatë evropian prej 1 074 miliardë euro.
Është hera e parë që 27 drejtues të shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen ballë për ballë për një samit në Bruksel që prej muajit shkurt dhe lehtësimit gradual të masave kufizuese lidhur me pandeminë e koronavirusit.
Negociatat pritet të jenë të gjata dhe të vështira dhe ky samit i jashtëzakonshëm dy ditor mund të mos jetë i fundit./atsh/