Infermieri i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Enlirat Duraku, i cili njëherësh është sekretar i përgjithshëm në Sindikatën e infermierëve, ka treguar për vështirësitë me të cilat përballen infermierët në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka treguar se paguhen 18 euro për një ndërrim, përkatësisht 65 centë në orë.Duraku është ankuar për kushtet në të cilat punojnë, duke thënë se nuk kanë as ujë të freskët, derisa është ankuar edhe për cilësinë e ushqimit që iu shërbehet.“18€ paguhemi për një ndërrim nate ose më saktë 0.65 cent në orë.
Pothuajse ato i shpenzojmë duke llogaritur ndërrimin e ditë dhe të natës, sepse mungojnë kushtet. Le të jetë e ditur se as ujë të freskët nuk kemi, ndërsa etja pas mbajtjes deri në 6 orë pandërprerë të maskave dhe veshjeve mbrojtëse, është e tmerrësisht e madhe. Pastaj ushqimi, një copë buke dhe një jogurt, eventualisht një copë mishi, të cilin gjatë përtypjes ka mundësi të fitosh “kallje të muskujve” të fytyrës”, ka shkruar Duraku.
E për politikanët apo zyrtarët e shtetit që po e mbështesin idenë që paga e infermierëve të mbetet 18 euro, thotë se në rast se infektohen ata kërkojnë dhoma VIP dhe kujdes maksimal infermieror.
Ai ka treguar edhe se si në disa klinika, infermirët po detyrohen të punojnë vetëm me një mantel të kaltër dhe një maskë kirurgjikale.
“Duhet llogaritur ankesat dhe raportimet që në disa klinika infermierët po detyrohen të punojnë vetëm me një mantel të kaltër dhe një maskë kirurgjikale, eventualisht me një maskë pa filter e cila nuk ofron asnjë mbrojtje sepse ajri i njejtë futet përmes saj gjatë qëndrimit në dhomat e pacientëve me COVID-19”, ka shkruar Duraku në Facebook./Tv Malisheva