Të enjten do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në tentim të arritjes së një marrëveshjeje finale. Aty vendin do të përfaqësojë koordinatori për dialogun, i cili pritet të draftojë “ujdinë” finale, por i cili ende nuk është emëruar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Ky i fundit, përmes një konference për medie, pas takimit me liderin e PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha vazhdoi të insistojë se dialogu me Serbinë nuk është teknik, por vetëm politik dhe që do të sjellë njohjen reciproke. Derisa bëri të ditur se pikërisht për këtë ka ftuar nesër në takim liderët politikë në Kosovë.

Hoti: Dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve

“Normalizimi i marrëdhënieve është derivat i njohjes reciproke. Çdo zgjidhje që ne e bëjmë në marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes reciproke si dy vendeve të pavarura që i adresojnë çështjet e hapura mes tyre. Dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha ai.

Krahas kësaj, shefi i ekzekutivit pati edhe një porosi për ata që po e akuzojnë se po rifillon një proces teknik që ka përfunduar vite më parë.

Hoti: Të enjten është një takim tjetër në Bruksel

“Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog, të cilin do të emërojë së shpejti për të biseduar dhe draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces, çdo koment tjetër që dëgjoni ose nuk është i informuar plotësisht, ose dëshirojnë të shtrembërojnë gjërat si dëshirojnë ata”, u shpreh ai.

Ndërkaq, theksoi se do të jetë transparent sa i përket gjitha takimeve në kuadër të dialogut.

Hoti: Kam ftuar nesër për takim liderët politikë

“Sot kam dërguar ftesat për nesër për forum të liderëve të partive politike. Gjithashtu kam dërguar shkresë për të informuar Kuvendin për të gjitha zhvillimet e deritanishme. Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Dialog teknik nuk ka, por ka dialog vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha ai.

E me ftesë të tij, sot po qëndron në Kosovë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili e përshëndeti lidershipin e kryeministrit Hoti në rinisjen e dialogut, derisa dha edhe një premtim për largim të taksës rrugore ndërmjet dy shteteve shqiptare.

Basha: Njëra prej vendimeve të para si kryeministër do të jetë heqja e taksës dhe traut në rrugën e kombit

“Njëra prej vendimeve të para të mija si kryeministër i zgjedhur në zgjedhjet e ardhshme të Shqipërisë do të jetë heqja e taksës dhe traut në rrugën e kombit. Një vendim i padrejtë që rëndon mbi ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomik të dy vendeve tona. Po kështu, na duhet një thellim i bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera që nga infrastruktura, energjia, bujqësia, agrobiznesi dhe kështu me radhë. Në këtë aspekt, dua të çmoj lart qëndrimet tuaja dhe fokusin tuaj në aspektin e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës, ku keni dhe do të keni mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike”, tha ai.

Javën e kaluar edhe formalisht ka rifilluar dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja./Tv Malisheva

Share.