Autoritetet amerikane janë sfiduar së tepërmi muajt e fundit për të krijuar spitale të përkohshme në luftën ndaj coronavirusit në New York.
Reparti i urgjencës i Qendrës Spitalore në Queens ka një kapacitet prej 60 shtretërish, por ditën më të keqe të pandemisë së COVID-19, më shumë se 180 pacientë shtrihen edhe në korridoret e spitalit.
Alarmet e autoambulancave binin pa pushim ndërsa mjekët e rraskapitur vraponin nga njëri pacient te tjetri.
Por më pak se gjashtë kilometra larg, një spital i përkohshëm u hap të nesërmen në mëngjes, më 10 prill.
Objekti u ndërtua në qendrën kombëtare të tenisit, “Billie Jean King”, për të mbështetur kapacitetet e ngarkuara të spitaleve të qytetit, ku kishte qindra shtretër dhe një numër profesionistësh mjekësorë për të trajtuar pacientët me virus, shkruan The New York Times.
Por gjatë gjithë muajit prill, ai trajtoi vetëm tre pacientë, tregojnë të dhënat e Qendrës Spitalore të Queensit.
Ajo që e bën të veçantë faktin është se spitali i improvizuar kushtoi më shumë se 52 milionë dollarë dhe deri më tani trajtoi vetëm 79 pacientë.
Pandemia ka paraqitur sfida unike për zyrtarët që luftuan me një armik të shpejtë dhe kryesisht të paparashikueshëm.
Megjithatë, historia e objektit “Billie Jean King” ilustron gabimet e bëra në çdo nivel të qeverisë amerikane në garën për të krijuar më shumë kapacitete spitalore në New York, shkruan mediumi amerikan.
Në fakt, New York pagoi 732 dollarë në orë për disa mjekë në “Billie Jean King”, por qyteti bëri që ata të kalonin orë të tëra në shkresa zyrtare dhe të kalonin më shumë kohë nëpër burokracitë shtetërore.
Ata ishin menduar që të trajtonin pacientët me coronavirus, por nuk pranuan njerëz me ethe, një simptomë dalluese e virusit.
Zyrtarët thanë që spitali improvizues do t’u shërbente pacientëve me sëmundje të rëndë, por punëtorët e spitalit pohuan se kishin në dispozicion vetëm dy ventilatorë.
“Në thelb jam paguar dymijë dollarë në javë për t’u ulur në telefonin tim dhe të shfletoj Facebookun”, tha Katie Capano, një mjeke infermiere nga Baltimori, e cila punonte në “Billie Jean King”. “Të gjithë ndiheshim shumë të turpëruar”, shtoi ajo.
Në fatkeqësitë e kaluara, si gjatë uraganit Sandy në vitin 2012, shteti njujorkez krijoi një sistem të unifikuar shëndetësor për të transferuar pacientët midis spitaleve.
Kjo nuk ndodhi gjatë pandemisë së coronavirusit, duke lënë spitalet në zona me të ardhura të ulëta të mbingarkuara, ndërsa disa qendra të pasura private mjekësore kishin shtretër të lirë, shkruan më tej NYT.
Objektet më të mëdha u hapën në Manhattan, në fund të marsit – Comfort dhe Javits Center. Ata trajtuan rreth 1.400 pacientë, megjithëse, vetëm rreth 300 prej tyre erdhën nga spitalet publike, tregojnë të dhënat.
Duke u përballur me një mungesë të parashikuar prej 50 mijë shtretërish, zyrtarët federalë shpenzuan më shumë se 320 milionë dollarë për të ndërtuar lehtësira në dy kolegje shtetërore dhe qendrën e qarkut të Westchesterit gjersa qyteti shpenzoi rreth 20 milionë dollarë në Brooklyn, tregojnë të dhënat.
Në fund të fundit, realiteti nuk iu afrua kurrë parashikimeve të tmerrshme dhe asnjë prej atyre lehtësive nuk u shfrytëzua.
Ndryshe, Billie Jean King u mbyll në 13 maj dhe mjekët e infermierët u kthyen në qendrat e tyre spitalore.