Intervistimi për katër ditë me radhë i presidentit të Kosovës nga ana e Prokurorisë së Specializuar në Hagë nuk e ka sqaruar mjaft fatin e aktakuzës ndaj tij. Ka një interesim të madh në qarqet diplomatike që fati i kësaj aktakuze të sqarohet sa më shpejt sepse, besojnë disa diplomatë perëndimorë, kjo po ndikon në proceset politike në Kosovë.

Mënyra dhe koha se si u dha lajmi në publik se presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ndodhen në një aktakuzë, ka qenë befasues për shumë diplomatë perëndimorë. Shumë prej tyre pajtohen se kjo ka qenë e “pazakontë”, por nuk janë të sigurt nëse vërtet në këtë mënyrë është parandaluar ndonjë akt për pengimin e punës së Gjykatës.

Prokuroria në fjalë e bëri publik lajmin në kohën kur Thaçi ishte rrugës për në Washington, ku do të merrte pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pa marrë parasysh se a ishte qëllimi ta pengojë këtë takim apo jo, publikimi i këtij lajmi bëri që të mos zhvillohej ai takim. Në një mënyrë kjo ndikoi edhe që dialogu të kthehet në duart e Brukselit, e madje që këtë ta përshëndetë edhe Washingtoni. Kontaktet me Thaçin u reduktuan në minimum dhe ai nuk u ftua më as në Washington, as në Bruksel. Diplomatët evropianë thonë se Thaçi tash “duhet të merret me sqarimin e rastit të tij dhe propozim-aktakuzën”. Kjo ka bërë që të dëgjohen edhe spekulime se prapa këtij zhvillimi të ketë qëndruar BE-ja, pasi edhe Gjykata Speciale është krijuar me iniciativë të BE-së dhe se ajo tashmë ka dhënë me qindra-miliona euro për të, shumicën për rrogat e stafit të Zyrës së Prokurorisë dhe Dhomave të Specializuara.

Por, fakti se vetë prokurori është amerikan e bën më pak të besueshme edhe këtë teori. Madje, disa shkojnë aq larg saqë thonë se mund të ketë qenë më shumë një komplot brenda-amerikan, sepse ndoshta ka dallime në qasje mes Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë./Tv Malisheva

Share.