Numri i personave me COVID-19 që kanë përfunduar me fatalitet tashmë ka arritur në 158 persona në Republikën e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, më së shumti në Komunën e Prishtinës, 24 raste.
Sot janë konfirmuar se në 24 orët e fundit kanë vdekur edhe 8 persona të infektuar me COVID-19. Për të cilët ende nuk dihet se nga cilat komuna vijnë këta persona, që sipas IKSHPK-së kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Ndryshe në të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet e ditur se më së shumti raste me coronavirus që kanë përfunduar me vdekje janë nga komuna e Prishtinës, gjithsej 24 persona.
Kurse, në komunat e tjera si Ferizaj me vdekje kanë përfunduar 7 persona, në Fushë Kosovë 6, Gjilan 6, Prizren 19, Mitrovicë e Jugut 8, Podujevë 6, Drenas 3, Lipjan 3, Vushtrri 11, Gjakovë 6, Pejë 10, Skenderaj 2, Obiliq 2, Viti 4, Rahovec 8, Kamenicë 2, Suharekë 2, Kaçanik 3, Shtime 5, Malishevë 5, Dragash 1, Mamushë 4, Istog 2, Mitrovicë e Veriut 2, Zubin Potok 2, Zveçan 1 dhe Leposviq 4 raste të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19 dhe po ashtu kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të respketojnë masat e marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, dhe po ashtu tu përmbahen rekomandimeve.
Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se “Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët”.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Po ashtu, një njoftim thuhet se inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve. Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat! Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda! Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm! Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”, thuhet në njoftim. /Tv Malisheva