Kina ka urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin jug-perëndimor të Chengdu, si një akt i fundit në vazhdën e tensioneve në mes të dy vendeve.
Kina tha se kjo masë ishte një “përgjigje e nevojshme” për SHBA, që urdhëroi Kinën të mbyllte konsullatën e saj në Houston në fillim të kësaj jave.
Mbyllja ishte një “përgjigje e ligjshme dhe e nevojshme ndaj veprimeve të paarsyeshme të bëra nga Shtetet e Bashkuara”, u tha në një deklarata të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.
Konsullata amerikane në Chengdu, e cila është themeluar në vitin 1985 dhe aktualisht ka më shumë se 200 anëtarë të personelit, është e një rëndësie strategjike për Shtetet e Bashkuara për shkak të afërsisë së saj me Tibetin.
“Situata aktuale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është diçka që Kina nuk e dëshiron dhe SHBA mban të gjithë përgjegjësinë për këtë”, vijoi deklarata e Ministrisë së Jashtme kineze.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se vendimi për mbylljen e Ambasadës kineze në Houston u mor sepse Kina po “vidhte pronën intelektuale”.
Administrata e Trump ka pasur në vijimësi pakënaqësi me Pekinin mbi tregtinë dhe pandeminë COVID-19, si dhe imponimin e Kinës për një ligj të ri të diskutueshëm të sigurisë në Hong Kong./Tv Malisheva