Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në dy vjetorin e vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi, ka thënë se përballë Rankoviqëve, Titoistëve e Millosheviqëve, ky njeri shpirtmadh e mendjefortë, foli e tha të vërtetën universale të lirisë.
Kurti ka shkruar në Facebook se Demaçi e tha për popullin shqiptar, sepse këtij populli i ra për hise, falë zotit, një vigan i tillë.
“Sot u bënë dy vjet pa Bacën Adem. Ai është ndër personat më frymëzues e formësues për mua e për Lëvizjen tonë. Adem Demaçi i përjetoi tri jugosllavitë dhe hyri tre herë në burg. 28 vjet gjithsej i kaloi si i burgosur politik. Kur e liruan në prill 1990, tha se po del nga burgu i vogël në burgun e madh. Vazhdoi veprimtarinë politike pa pushim e kursim për veten. Kurrë nuk u step prej frikës, kurrë nuk u mposht prej dhimbjes, kurrë nuk u ligështua prej trysnisë. Me thjeshtësi e qartësi të madhe intelektuale, me lakonizmin karakteristik, ai gjithnjë thoshte të vërteta therëse. Kjo cilësi iu njoh e iu vlerësua edhe nga Parlamenti Evropian, që i akordoi Adem Demaçit çmimin prestigjioz «Saharov» për lirinë e të menduarit. Shkroi, tha e bëri aq shumë gjëra me peshë të rëndë politike, shoqërore e letrare, ndonëse tentativat për ta kufizuar, penguar e censuruar kurrë nuk munguan. Përballë Rankoviqëve, Titoistëve e Millosheviqëve, ky njeri shpirtmadh e mendjefortë, foli e tha të vërtetën universale të lirisë. E tha për popullin shqiptar, sepse këtij populli i ra për hise, falë zotit, një vigan i tillë. Sot, kur mendojmë, mendojmë edhe a thua çka do të mendonte ai. Prandaj, kur veprojmë, veprojmë sikur edhe ai të ishte me neve”, ka shkruar Kurti.