Me rastin e nëntëvjetorit të vrasjes, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka përkujtuar policin e Kosovës, Enver Zymberi i cili ra në një operacion policor për të vënë nën kontroll pikat doganore dhe ato të kufirit në veri të Kosovës.
Mustafa ka thënë se Zymberi ra heroikisht në krye të detyrës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Sot, janë bërë 9 vjet nga vrasja e një prej policëve më të mirë të Kosovës, Enver Zymberi. Në emër të LDK-së dhe të gjitha strukturave tona shprehim nderimet më të larta për heroin e Kosovës, Enver Zymberi. Ndihemi krenar për heroizmin e tij por njëkohësisht kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ato vajza dhe ata djem që dhanë shembull të sakrificës së jashtëzakonshme për shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës. Lavdi, Heroit të Kosovës Enver Zymberi”, ka thënë Mustafa.
Enver Zymberi u vra më 26 korrik 2011, kur Qeveria e Kosovës nisi forcat e saja policore për të vënë nën kontroll pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak. Një ditë pas vrasjes, ai është shpallur Hero i Kosovës nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.