Për të tretën herë brenda një muaji, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj Durim dhe Sali Lushajt, të cilët akuzohen se në gusht të vitit 2016 kryen vrasjen e dy vëllezërve, tani të ndjerëve Rexhep e Burim Ramaj.
Edhe seanca e paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, sikurse seanca e 3 korrikut dhe ajo e 6 korrikut, ka dështuar për shkak të mungesës së prokurorit Haxhi Sinanaj.
Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Husaj-Rugova, gjendja shëndetësore e prokurorit Sinanaj nuk është e mirë, për çka dhe i njëjti nuk ka mundur të jetë prezent në gjykatë.
Gjykatësja Husaj-Rugova bëri të ditur se të gjitha palët janë njoftuar me kohë për shtyrjen e seancës.
E njëjta tha se datën për seancën e radhës do ta caktoj brenda ditës.
Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë më 14 prill 2018, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar të akuzuarin Durim Lushaj me dënim unik prej 25 viteve burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtës pa leje, dhe Sali Lushajn me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 viteve burgim, për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtjes pa leje.
Kurse, Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Durim Lushaj dhe Sali Lushaj si të bazuara, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale dhe vërtetimin jo i plotë të gjendjes faktike.
“Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje eseanciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 e që lidhet me nenin 370 par.6 dhe 7, e të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike”, theksohet në vendim e Apelit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej, Komuna e Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ka privuar nga jeta Rexhep Ramaj me armë zjarri.
I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn, akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.
Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramaj e Mustafë Ramaj.
Që të dy akuzohen nga ana e prokurorisë për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje./Tv Malisheva