16-vjeçari Muhamet Ramadani medaljen e artë të cilën e fitoi në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF), “Baku 2019”, ia dedikon familjes dhe gjithë Kosovës, kurse synim i tij është të dalë kampion ballkanik në vitin 2020.

Atleti Muhamet Ramadani të premten e kaluar ka shkruar historinë e re në sportin e Kosovës, pasi e ka fituar medaljen e artë në disiplinën hedhje e gjyles 5 kilogramë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF), “Baku 2019”. 16-vjeçari nga Mitrovica e hodhi gjylen në largësi 19.75 metra, rreth 1 metër më shumë se vendi i dytë, i cili i takoi atletit rus Semen Borodayev.

I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Muhamet Ramadani ka thënë se rrugëtimi për të fituar medalje të artë në një ngjarje kaq të rëndësishme sportive ka qenë mjaftë i mundshëm, pasi ai së bashku me babanë, njëkohësisht trajnerin e tij, Shaban Ramadanin, kanë punuar dy vjet për të arritur këtë sukses të jashtëzakonshëm. “Rrugëtimi ishte tepër i vështirë pasi kemi punuar gati që dy vjet me babanë tim që të vijë kjo ditë. Jam shumë i lumtur që mundi ynë është shpaguar dhe falënderoj babanë tim, Shabanin, që më ka ushtruar dhe përkrahur gjithmonë, po ashtu e falënderoj edhe Klubin Atletik ‘Mitrovica’ që më ka dhënë kurajë”, ka thënë Ramdani.

I pyetur se kujt ia dedikon medaljen e artë, Ramadani është përgjigjur: “Familjes dhe gjithë Kosovës”. Atleti i ri më pas ka folur edhe për finalen ku doli triumfues dhe arriti që t’i sjellë Kosovës medalje nga lojërat që u mbajtën në Baku. “Në hedhje të gjyles ishin sportistët më të mirë të Evropës dhe jam krenar që unë arrita të triumfojë. Normalisht se ky sukses më jep edhe më shumë motiv për garat e radhës”, ka shtuar ai.

Atleti 16-vjeçar në fund foli edhe për synimet që ka për të ardhmen. Ai synon që t’i sjellë Kosovës medalje edhe nga garat ku do të marrë pjesë. “Pas medaljes në Baku, synimi im është që vitin tjetër të bëhem kampion i Ballkanit me gjyle të 6 kg”, ka thënë Ramadani.

Kosova përfundon e 26-ta në ‘Baku 2019’, lë pas Serbinë

Ekipi Olimpik i Kosovës ka përfunduar në vendin e 26 nga 50 shtete pjesëmarrëse në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF), “Baku 2019”. Ky sukses ka ardhur pas medaljes së artë të atletit, Muhamet Ramadani. Ai fitoi të artën në disiplinën hedhje e gjyles. Kosova la pas shtete të fuqishme si Hungaria, e cila fitoi 19 medalje, por jo edhe të artën, Zvicrën, Slloveninë, Serbinë etj. Ekipi i Kosovës u përfaqësua në kryeqytetin e Azerbajxhanit me 18 sportistë të pesë sporteve të ndryshme, ndërsa fitoi një medalje. EYOF-i i ardhshëm 2023 do të mbahet në Banska Bistrica të Sllovakisë.

Share.