Evropa është duke u përgatitur për një valë të dytë të koronavirusit, derisa përhapja e vazhdueshme nëpër shtete është duke e rikthyer mundësinë e mbylljeve, në kohën kur miliona njerëz po udhëtojnë nëpër kontinent për pushimet e tyre të verës.
Katalonjës mund t’i duhet t’i rikthejë masat, po qe se numri i të infektuarve nuk vihet nën kontroll brenda dhjetë ditësh, derisa Franca u ka bërë thirrje të rinjve që të jenë më të kujdesshëm, pas rritjes dramatike të rasteve të COVID-19 tek të rinjtë.
Gjatë javës së kaluar, autoritetet spanjolle të shëndetësisë e kanë pranuar se shteti mund të jetë duke e përjetuar tashmë valën e dytë të infektimeve, pas heqjes së masave strikte kufizuese në fund të qershorit.
Të hënën, presidenti rajonal i Katalonjës – një prej zonave më të goditura nga ripërhapja e virusit – ka thënë se gjendja ishte e ngjashme me atë në mars, para se të viheshin masa.
Gjermania ndërkaq ka rreth 6.100 raste aktive të virusit. Agjencia gjermane për Kontrollin e Epidemive, Instituti Robert Koch (RKI) e ka ripërsëritur shqetësimin e saj për rritjen e numrit të rasteve.
Gjatë fundjavës, 500 njerëz janë vënë në karantinë në Mamming të Bavarisë, pasi që 170 punonjës në një plantacion perimesh dolën pozitivë në testin për COVID-19.
Në Austrinë fqinje, në Wolfgangsee, një liqen i popullarizuar tek turistët gjermanë, autoritetet po përballeshin me 53 raste të reja, që mendohet të jenë infektuar nga punonjësit e hotelit./Tv Malisheva