Kompania “Daimler” pritet të shkurtojë orët e punës dhe pagesat e shpërblimeve, pas marrëveshjes së arritur me përfaqësuesit e punëtorëve, për të kundërshtuar efektet e pandemisë së koronavirusit të ri, njoftoi sot prodhuesi gjerman i makinave.
“Masat janë një kontribut i qartë për punësimin dhe stabilizimin e pozicionit tonë financiar. Në këtë mënyrë, vendet e punës në kompani do të siguroheshin deri në vitin 2030”, tha Michael Brecht, kreu i Këshillit të Punës në “Daimler”, raporton ATSh.
Punonjësve në administratë dhe logjistikë do t’u shkurtohen orët e punës nga dy orë në javë, për një vit, duke filluar nga tetori.
Gjithashtu, sipas marrëveshjes, bonuset për vitin 2020 do të shkurtohen tërësisht.