Grupi Punues i Ministrisë së Drejtësisë për finalizimin e Projekt-Kodit të Procedurës Penale, sot ka mbajtur takimin e radhës në të cilin ka marrë pjesë edhe ministri Selim Selimi.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për disa çështje me rëndësi, duke përfshirë çështjen e gjykimit në mungesë, suspendimin nga puna të zyrtarëve publikë me rastin e ngritjes së aktakuzës, në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe mundësinë e përfshirjes së dispozitës që lejon mbajtjen e seancave online, në rrethanat e ngjashme sikurse ballafaqohemi aktualisht me Covid-19.
Selimi i siguroi mbështetje Grupit Punues për finalizimin e Projekt-Kodit të Procedurës Penale, duke shtuar se ky Projekt-Kod është i domosdoshëm për avancimin e legjislacionit për sistemin e drejtësisë.
“Finalizimi i Projekt- Kodit të Procedurës Penale është ndër prioritetet e mia, për faktin se miratimi i Kodit të Procedurës Penale adreson sfidat me të cilat është ballafaquar dhe ballafaqohet sistemi ynë gjyqësor dhe prokurorial, andaj është përgjegjësi e jona, që këtyre sfidave t’iu gjejmë zgjidhje, duke avancuar legjislacionin”, tha Selimi.
Procesi i hartimit të Projekt-Kodit të Procedurës Penale është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takimin e kryesuar nga Drejtori i Departamentit Ligjor, njëherësh kryesues i Grupit Punues, Ardian Bajraktari, të pranishëm ishin edhe gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues nga shoqëria civile, si dhe akter tjerë vendor dhe ndërkombëtar.
Ministria e Drejtësisë do të angazhohet që të bëhet sa më parë finalizimi i Projekt- Kodit të Procedurës Penale, si dokument mjaft me rendësi, i cili i adreson sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokuroria./Tv Malisheva