I ngutshëm dhe i paqartë është vlerësuar vendimi për mbyllje të sërishme të aktiviteteve sportive në vend. Qeveria e Kosovës, të martën mbrëma ka publikuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Në një numër të madh të masave të reja të marra përfshihen edhe ato për aktivitetet sportive, ku siç thuhet në njoftimin e qeverisë “ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjithë lëmenjve etj”.
Megjithatë, me vendimin e ri qeveritar është lejuar hapja e pishinave të mbyllura, fitneseve dhe sportet individuale, siç thuhet në përputhje me manualin për mbrojtje nga COVID-19. Vendimi i marrë thuhet në njoftim se do të hyjë menjëherë në fuqi, qysh nga dita e enjte (sot). Mirëpo, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i komunitetit sportiv në vend, në veçanti futbollit: Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), klubet e po ashtu edhe Shkollat e Futbollit.
Drita është skuadra e parë që ka nisur stërvitjet të mërkurën për t’u bërë gati për turneun preliminar të Ligës së Kampionëve, garë në të cilën do ta përfaqësojë Kosovën si kampione. Dhe, në bazë të vendimit në fuqi të Qeverisë, Drita do të duhet t’i ndërpresë stërvitjet qysh të enjten (sot). Por, nga kampionia e vendit presin të mos pengohet puna, sepse, sipas tyre, nuk është vetëm interes i klubit, por edhe i Kosovës një përfaqësim sa më të dinjitoz në Evropë.
“Ne si klub nuk kemi pasur ndonjë njoftim qoftë nga FFK-ja, pjesë e së cilës jemi, andaj ne do t’i vazhdojmë stërvitjet dhe do të kërkojmë mbështetjen e federatës dhe Komunës tonë që të mos na pengojnë në punë, sepse është interes jo vetëm i një klubi, por interes kombëtar. Unë mendoj që si shumë vendime të ngutshme që ka marrë Qeveria, e ka marrë edhe këtë vendim të ngutshëm, por që do të ketë mirëkuptim dhe nuk do të pengohemi”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi të mërkurën .
Drita e Gjilani shpresojnë në ndryshim të vendimit
Gjithashtu, Zymberi ka shtuar se nuk kanë kohë që të marrin rrugë për të zhvilluar një përgatitje të shkurtër jashtë vendit, meqë kanë obligime të tjera, siç janë rregullimi i dokumentacionit dhe pajisjes me viza. Drita ka paraparë të udhëtojë drejt qytetit zviceran Nyon më 7 gusht, derisa një ditë më vonë do të luajë në gjysmëfinale të turneut preliminar të Championsit kundër kampionit të Andorrës, Inter.
Në ditën e ndeshjes së Dritës, skuadra e Gjilanit do ta mësojë kundërshtarin për ndeshjen preliminare të Ligës së Evropës. Shorti do të tërhiqet më datën 8 gusht, kurse ndeshjen e parë Gjilani do ta luajë më datën 23 të të njëjtit muaj. Gjilani në kupat evropiane do të përfaqësojë Kosovën si nënkampion i Superligës. Edhe te Gjilani presin që të ketë ndryshim të vendimit të Qeverisë kosovare. Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani ka thënë se do të ishte problem i madh nëse do të kishin pengesa në përgatitje. Gjilani ka thënë se do t’i rifillojë përgatitjet javën tjetër, më 3 gusht.
“Shpresoj shumë që Qeveria të bëjë ndryshime në vendim, sepse Kupat e Evropës janë një eveniment shumë i mirë për vetë Kosovën. Ne do të kthehemi në stërvitje ditën e hënë dhe shpresojmë shumë që deri atë ditë të jenë zgjidhur të gjitha problemet. Duhet të përgatitemi për një përfaqësim sa më të denjë të Kosovës”, ka insistuar Mezani.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që të gjitha aktivitetet sportive në vend mbyllen shkaku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Herën e parë, të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë u pezulluan më 13 mars, kur edhe u paraqitën rastet e para të prekura me koronavirus në Kosovë. Por, pas insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe klubeve të saj, qeveria lejoi që vetëm Superliga t’i luajë ndeshjet kampionale dhe të kupës. Ndërsa, për sportet tjera u vendos që të lejohen të zhvillojnë aktivitete pas hapjes së fazës së tretë, që ishte fillimi i muajit qershor./Tv Malisheva