Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me drejtoreshën e AZHR-së Qendër, Mrikë Macula, në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta të cilat kanë për qëllim ndryshimin e mirëqenies socio-ekonomike për qytetarët e Obiliqit.
Ky memorandum parasheh edhe implementimin e grant skemës “Përkrahja e nënave vetushqyese dhe grave në biznes”, ku vlera e këtij granti është 50 mijë euro, në kuadër të subvencioneve të Komunës së Obiliqit dhe është i dedikuar për kategorinë e nënave vetushqyese dhe grave ndërmarrëse.
Kjo grant skeme do jetë e ndarë në dy lote; Loti 1 Start Up ose biznese ekzistuese dhe Loti 2 ndërmarrjet mikro dhe të vogla me qarkullim deri në 2 mijë euro ndërsa shumat do të jenë për Loti 1 nga 1000 euro deri në 1,500 euro dhe Loti 2 nga 1000 euro deri në 2500 euro.
Kreu i Obiliqit, Xhafer Gashi gjatë nënshkrimit të këtij memorandumi, tha se i përkushtuar në përkrahjen e të gjitha kategorive të shoqërisë, sidomos në këtë kohë pandemie, përkrahja e bizneseve të vogla dhe fillestare është më së e domosdoshme, andaj inkurajoj për aplikim të gjitha gratë në biznes dhe nënat vetushqyese.
Gashi falënderoi Agjencinë për Zhvillim Rajonal që ka ndihmuar në përgatitjen e grant skemës.
Gashi: Ky është grant 50 mijë eurosh
“Ka të bëj me grant 50 mijë euro që janë ndarë nga buxheti komunal vitin e kaluar. Është planifikim që të ndihmohen nënat vetushqyese dhe gratë në ndërmarrësi, ne e falënderojmë shumë në këtë rast për ndihmësen, për përgatitjen e grant skemës dhe shpresoj që shumë shpejtë do të përmbyllet si proces duke uruar të gjitha ato nëna vetushqyese por edhe gratë në ndërmarrësi që sadopak ky grant skemë t’ua lehtësojë nevojat që ato i kanë në biznes”, deklaroi Gashi.
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Rajonal (AZHR Qendër), Mrikë Macula, tha se për herë të parë impelementohet një skemë e tillë, ndërsa u shpreh se synon të ndihmojë në zbutjen e papunësisë në radhët e nënave vetushqyese dhe gratë në biznes.
Macula: Për herë të parë impelementohet një grant i tillë
“Për herë të parë impelementohet një grant-skemë e tillë, jam e lumtur t’ju ndihmoj grave në biznes, sidomos nënave vetushqyese. Ky projekt synon të zbusë papunësinë përmes krijimit të vendeve të reja të punës, gjithashtu t’ju ndihmojë nënave vetushqyese dhe gratë në biznes po ashtu t’i fuqizojë bizneset fillestare dhe ato që kanë potencial për zhvillim. Grant skema do të ndahet në dy lloje, për bizneset ekzistues e të cilat është prej 1000 deri në 2500 euro ndërsa për ‘start up’ është prej 1000 deri në 1500 euro, andaj inkurajoj të gjithë gratë të cilat veprojnë në Komunën e Obiliqit që të aplikojnë”, deklaroi Macula.
Aplikimi për këtë grant skemë u tha se është i hapur që nga sot./Tv Malisheva