Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avduli ka iniciuar kërkesën për ngritjen e Komisionit parlamentar për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Në një paraqitje para mediave, Avdyli tha se në kohë pandemie mjedisi është lënë anash.

Avdyli tha se ky komision në mënyrë të veçantë do të adresojë shkeljet eventuale ligjore procedurale në dhënien e lejeve të ministrive të linjës dhe autoriteteve të tjera për operimin e hidrocentraleve.

Për këtë iniciativë, deputeti i LDK-së tha se ka marrë përkrahjen e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ndërsa ka kërkuar mbështetje edhe nga GP i LDK në të cilën bën pjesë por që raportet me partinë e tij nuk janë më të mira për shkak të kundërshtimeve ndaj Qeverisë Hoti.

Avdyli: Komisioni do të merret edhe me lejet për hidrocentralet

“Kemi filluar me procedurat për ngritjen e këtij komisioni hetimor i cili do të merret kryesisht për hetimin e çështjeve të lumenjve, shfrytëzimin e tyre, çështjen e hidrocentraleve dhe mbikëqyrjen e aplikimit të lejeve të ndryshme për hidrocentrale, në mënyrë të veçantë ky komision do të adresojë edhe shkeljet eventuale ligjore procedurale në dhënien e lejeve të ministrive të linjës, autoriteteve të tjera, mënyrën e shfrytëzimit të burimeve ujore, korrupsionit institucional të mundshëm që mund të ketë ndodhur gjatë adresimit të këtyre çështjeve. Unë sot kam marrë përkrahje edhe të kryetares së Kuvendit të Kosovës për këtë iniciativë, pastaj të kryetarit të Komisionit për Bujqësi nga Lëvizja Vetëvendosje, kolegë të ndryshëm të cilët e kanë përkrahur këtë komision po ashtu kërkesën për nënshkrime e kam dorëzuar edhe në Grupin Parlamentar të LDK i cili grup do ta marrë një vendim për përkrahje për ngritje të këtij komisioni”, tha Avdyli.

Për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar duhen 40 nënshkrime të deputetëve, por Avdyli tha se është optimist që do t’i sigurojë këto nënshkrime.

Sipas tij, qytetarët në disa zona të Kosovës kanë shprehur shqetësime për funksionin e disa hidrocentraleve ose lejeve të dhëna duke kërkuar që kjo çështje të adresohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se disa hidrocentrale mund të jenë të dëmshme për ekosistemin dhe biodiversitetin e zonës.

Avdyli: Qytetarët janë të shqetësuar me disa prej hidrocentraleve

“Duke shikuar nëse ka pasur abuzime me detyrën, ka pasur shkelje ligjore dhe gjëra të tjera të cilat i kanë dëmtuar lumenjtë, kanë dëmtuar ekosistemet në këta lumenj, disa hidrocentrale që tashmë janë në punë dhe duke pretenduar për ngritjen edhe të disa hidrocentraleve kryesisht në zonën e Zhupës së Prizrenit, në zonën e Brezovicës, në zonën e Deçanit dhe në veri dhe këto kanë shkaktuar shqetësime shumë të mëdha të qytetarëve të cilat janë adresuar edhe tek ne, dhe kanë kërkuar edhe ndihmë tonë që të adresohen këto hidrocentrale të cilat po e marrin ujin po e fusin në gypa, duke e lëne sipas ligjit 30% të ujërave të shfrytëzuar për ekosistemin aty që shpeshherë edhe kjo nuk mjafton ose dhe nuk lëshohet as 30%-shi duke dëmtuar ekosistemin, biodiversitetin e asaj zone që mund të jetë zonë disa kilometërshe”, theksoi Avdyli.

Ai tha se nëse shqetësimeve të qytetarëve do t’iu përgjigjen përmes këtij komisioni hetimor dhe do të konfirmohet nëse ato qëndrojnë si shqetësime dhe nëse është e nevojshme të ndërpritet kjo praktikë e dëmshme për vendin./Tv Malisheva

Share.